Shtrenjtimi i rrymës elektrike, EVN: Shpenzimet tona janë reale, s’na takon ta komentojmë deklaratën e KRrE-së

Shoqata aksionare “EVN” në një përgjigje të dërguar për TV21, për çështjen e shtrenjtimit të rrymës elektrike, ka refuzuar të komentojë deklaratën e Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRrE) për atë, se “nëse ndërmarrjet energjetike heqin dorë nga kërkesat, mund të anulohet vendimi për shtrenjtim të rrymës elektrike prej 7.4 për qind për amvisëritë”.

Nga EVN thonë se shpenzimet e përllogaritura nga EVN janë reale, ndërkaq thonë se rritja e çmimit ka ardhur si rezultat i shpenzimeve të kompanive shtetërore.

“Përllogaritjet e shpenzimeve të EVN që janë të parashtruara tek Komisioni Rregullator për Energjetikë janë reale, valide dhe të dërguara në përputhje me detyrimin ligjor. Tarifat e reja të përcaktuara sa i përket pjesës së EVN, janë të zvogëluara në krahasim me të mëparshmet. Rritja e çmimit për konsumatorët e instancës së fundit kryesisht është pasojë e shpenzimeve të kompanive shtetërore të cilat gjithashtu u deklaruan se janë reale dhe valide. Andaj, nuk ju takon kompanive ta komentojnë deklaratën e Komisionit Rregullator për Energjetikë”, thonë nga EVN.

Paraprakisht, se nuk heqin dorë nga kërkesa për rritjen e të ardhurave, nëpërmjet rritjes së çmimit të energjisë elektrike kanë deklaruar edhe nga Shoqata Aksionare, “MEPSO”.