Greqia raporton numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 që prej zbutjes së masave të kufizimit. 97 infektime të reja janë shënuar gjatë 4 ditëve të fundit, 52 prej të cilave në një ditë të vetme. Sipas autoriteteve, 30 nga të infektuarit kishin ardhur nga jashtë vendit, ndërsa 29 të tjerë i përkasin rajonit të Ksanthit, në verilindje të Greqisë.
“Të gjithë ata që mendojnë se e kishim hequr qafe virusin gabojnë. Ai është dobësuar por kjo nuk nënkupton se ka ikur. Mbrojtja civile u bën thirrje qytetarëve të mos e ulin vigjilencën, të zbatojnë rregullat e higjienës dhe distancimit social”, deklaroi kreu i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias.
Autoritetet janë alarmuar për disa episode të shkeljes së rregullave në fundjavë. Një lokal i famshëm në Mikonos u urdhërua të mbyll dyert për 60 ditë pasi nuk iu përmbajt masave të distancimit social për parandalimin e koronavirusit.