“Shtetësitë” ASH-AAA: Do ta bllokojmë punën e Kuvendit!

Grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kërkon procedimin e Ligjit për shtetësi, në të kundërtën paralajmërojnë se do ta bllokojnë punën e Kuvendit. Deputetët e koalicionit opozitar kërkojnë nga kreu i Kuvendit që në bazë të Rregullores ta thirr mbledhjen e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri dhe të procedohet propozimi pavarësisht epilogut që do ta ketë. Përmes propozim-Ligjit për shtetësi opozita shqiptare kërkon lehtësimin e procedurave institucionale për marrjen e shtetësisë dhe zgjidhjen e statusit të personave pa shtetësi.

Tash përfundimisht kemi kërkuar edhe njëherë që ligji të vendoset në rend dite dhe po që se ajo nuk ndodhë atëherë do ta bllokojmë Kuvendin dhe do të kërkojmë që të iniciohet ligji për shtetësi sepse nuk guxojmë të tallemi me fatin e shqiptarëve të cilët presin zgjidhjen e halleve të tyre nëpërmjet sjelljes së këtij ligji- deklaroi Skender Rexhepi, Deputet i Alternativës.