Shtëpia e Bardhë me një gardh të ri e të fortë

Shërbimet Sekrete amerikane si dhe Shërbimi i Parkut Kombëtar po punojnë për të zëvendësuar gardhin aktual, pas një seri kërcënimesh ndaj sigurisë, përfshirë një incident në vitit 2014 kur një person kaloi pa leje gardhin dhe iu afrua Shtëpisë së Bardhë.

Një nga objektet më të fotografuara në Uashington është bllokuar pjesërisht nga ky instalim, pjesë e një gardhi të ri që do të rrethojë Shtëpinë e Bardhë. Pjesa e parë e tij është tashmë gati. Ai është rreth katër metra i lartë ose pothuajse dyfishi i lartësisë së gardhit të vjetër. Gjithashtu është më i trashë e më i fortë. Në gardhin e ri po vendosen pajisje me teknologji kundër ngjitjes dhe që ndalon çdo hyrje të paligjshme.

“Ky dyfishim i lartësisë së gardhit garanton një lloj mbrojtjeje nga shpërthimet dhe goditjet. Gjithçka, të gjitha pjesët, duhet të forcohen”, thotë Thomas Luebke, i Komisionit Amerikan të Arteve të Bukura.

Gardhi i parë që rrethonte Shtëpinë e Bardhë, një gardh prej druri, u vendos gjatë kohës së Thomas Jefferson-it në fillim të viteve 1800. Me kalimin e viteve, gardhet u bënë prej guri e hekuri. Por ato nuk kishin për qëllim që të mbanin njerëzit jashtë. Vizitorët shpesh lëviznin lirisht në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

“Ishte relativisht e lehtë të futeshe brenda dhe të ngjiteshe lart në katin e dytë. Atje punonte presidenti para se të ndërtohej ai që njihet si West Wing (Krahu Perëndimor i Shtëpisë së Bardhë). Imagjinoni presidentin duke u përpjekur të përfundojë punën ndërsa rrethohet nga ata që kërkojnë një pocizion aty, lobistët, pra të gjithë llojet e njerëzve që në thelb dilnin në korridor me shpresën për të siguruar një takim të shpejtë me presidentin apo qoftë për ta parë atë”, thotë Matthew Costello, i Shoqatës së Historianëve të Shtëpisë së Bardhë.

Në vitet 1920 presidentët vendosën se deri ku mund të qasej publiku në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Përfundimisht kontrolli mbi sigurinë u la në duart e Shërbimeve Sekrete pas vrasjes së tre presidentëve gjatë një periudhe 36-vjeçare mes viteve 1865 dhe 1901.

“Bëhet fjalë për vrasjen e Abraham Lincolnit, James Garfieldit dhe William McKinleyt. Nëse do të kishit lindur në vitin 1840, do të kishit qenë dëshmitar në tre atentate ndaj presidentëve”.

Komisioni i Arteve të Bukura ka punuar për të siguruar një ekuilibër mes përmirësimit të kushteve të sigurisë që garanton gardhi i ri, me ruajtjen e një pamjeje vizualisht tërheqëse.

“Nuk është çështja për të marrë modelin e vjetër dhe thjesht ta dyfishosh. Duhet menduar se me çfarë materiali janë bërë pjesët dhe si mund të funksionojnë më mirë së bashku. Duke u përpjekur për ta ngritur me përmasat e duhura, duhet të vendosim njëkohësisht se cili material është i duhuri për secilën pjesë apo çfarë veshje duhet të ketë”, thotë Thomas Luebke, i Komisionit Amerikan të Arteve të Bukura.

Punimet për ndërtimin e gardhit pritet të përfundojë në 2021. Deri atëherë vëmendja mund të kthehet tek një projekt gjithëpërfshirës për pjesën tjetër të kompleksit të Shtëpisë së Bardhë, një plan që duhet të marrë në konsideratë sigurinë dhe estetikën.

“Në këtë mënyrë ata mund të krijojnë diçka që duhet, e që tani është pak si mishmash”, thotë Thomas Luebke, i Komisionit Amerikan të Arteve të Bukura.

Një instalim për mbrojtje, por që nuk shkatërron pamjet më ikonike të Uashingtonit. /VoA