Shqyrtohet mundësia që edhe seancat gjyqësore të zhvillohen online

Po shqyrtohet mundësia që edhe seancat gjyqësore të zhvillohen online. Çështjen e ka ngritur ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, i cili deklaroi se kjo praktikë është ndjekur edhe më parë në sistemin gjyqësor. Mariçiq ka përmendur dhe faktin se praktika e punës në distancë është ndjekur edhe në sistemin arsimor. Kjo sipas tij, duhet të bëhet për shkak se gjatë seancave gjyqësore ka edhe të akuzuar të infektuar me koronavirus ose që janë në izolim.

“Kjo kohë e re e pandemisë botërore, solli sfida të reja edhe për gjyqësinë dhe kërkon zgjidhje të reja se si të funksionojë sistemi, të vazhdojnë seancat gjyqësore dhe procedurat para gjykatave dhe prokurorive. Nxënësit, kuadri mësimor dhe sistemi arsimor me përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u përballur me shumë sfida, treguan se sistemi në këto kohë duhet dhe mundet të funksionojë edhe online”. deklaroi Mariçiq. /SHENJA/