Shqiptarët e Luginës me përfaqësues në Parlamentin serb

Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë të paktën dy përfaqësues në përbërjen e re të Parlamentit serb. Kreu i listës së koalicionit, Alternativa Demokratike Shqiptare- Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi shpreson që numërimi përfundimtar i votave t’iu jep edhe 1 deputet.

Në bazë të rezultateve që ne i kemi përpunuar, në shtabin tonë zgjedhor, 2 mandate tani për tani janë të siguruara besojmë. Presim nivelin e daljes së përgjithshme në Serbi, për të parë se sa ka gjasë që të fitojmë mandatin e tretë, që do të ishte realizim i synimit tonë fillestar kur kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me katër subjektet tjera”-tha Shaip Kamberi, PVD.

5 partitë shqiptare të Luginës, për herë të parë u unifikuan për fuqizimin e votës shqiptare në Parlamentin serb. PDSH edhe këtë herë bojkotoi parlamentaret, me arsyetimin se Serbia nuk përfill zërin e shqiptarëve.

Megjithatë partitë shqiptare nuk ishin bashkë në garën lokale për Bujanocin. Partia Demokratike e Nagip Arifit ka dale e para me 5048 vota e pasuar nga partia e Vuçiçit me 4968 vota.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se bashkimi i shqiptarëve të luginës dha rezultate dhe se ata tashmë do të kenë më shumë deputetë, të cilët do ta ngrisin zërin për të drejtat e shqiptarëve.

Për rezultatin e partive shqiptare të Luginës së Preshevës, në rrjetin e tij në facebook reagoi edhe ministri I jashtëm I Shqipërisë Gent Cakaj I cili nëpërmjet një fotografie ka shkruar Të dua Luginë.