“Shqiponjat nuk i lagë shiu, sepse fluturojnë përmbi re!”

Nga Fatima Gorezi
Me një eksperiencë të gjatë në komunikim, konsulencë biznesi dhe marrëdhënie me publikun
Pranvera Kasami është themeluesja e ‘’School of Leadership’’. E shkuara si aktiviste e të drejtave të njeriut në Maqedoni, me fokus kryesor tek fuqizimi i të rinjve ka ndikuar së shumti në vizionin e saj për krijimin e kësaj shkolle. Ajo ka vendosur që ta vërë në dispozicion kapacitetin dhe potencialin e saj në shërbim të një platforme që mund të shfrytëzohet nga të rinjtë, si fillim nga Maqedonia e më pas nga gjithë rajoni, për të marr njohuri mbi lidershipin, çka do të ishte një ndihmesë e madhe për ta për tu punësuar, kualifikuar, apo edhe përmirësuar sfondin e njohurive të tyre praktike në vendin ekzistues të punës. Në këtë intervistë për ‘’Star People’’ nëna e dy fëmijëve ( njërit në pritje) ndan me ne eksperiencën e saj në lidership, këtë terren disi të panjohur në hapësirën shqiptare, por shumë të rëndësishëm për zhvillimin e çdo shoqërie.
Pranvera, na tregoni pak mbi background -in tuaj dhe karrierën e hershme?
Suksesi i madh mund të vishet dhe si mundësi e vogël që të shfaqet gjatë jetës tënde. Andaj kap çdo mundësi që shfaqet në rrugën tënde. Ky ka qenë parimi që ka udhëhequr zhvillimin tim që nga ditët e hershme të karrierës. Si studente, një aktiviste e zjarrtë e kyçur në shoqërinë civile – kryesisht në fushën e fuqizimit të të rinjve, me dëshirën e madhe që të bëj një gjë ndryshe për vete dhe për të tjerët. Fakultetin Juridik e nisa dhe përfundova si një bursiste e programeve të Qeverisë Holandeze, që më pas të udhëheq degën për Maqedoninë të një organizate ndërkombëtare me seli në Washington, për një periudhë kohore mbi dhjetëvjeçare. Si tip ambicioz në gjetjen e mundësive dhe sfidave të reja, duke mos reshtur së mbajturi “sytë katër” , u përzgjodha në ekipin menaxhues të një programi dedikuar ndërtimit të kapacitetit të Parlamentit të Maqedonisë, program i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkohë shkollimi im i ciklit pas-universitar është plotësuar në Itali dhe Londër, në fushat: Shkenca Politike, si edhe Marrëdhënie me Publikun dhe Menaxhim Reputacioni dhe një tjetër master për Menaxhim Ndërkombëtar Projektesh.
Fatmirësisht në të gjitha konkurset ku komisionet ishin në përbërje të ekspertëve të huaj dhe jo vendas, fitoja shanse. Kjo gjë i solli dobi formësimit tim profesional dhe e kushtëzoi përshtatjen time me ambiente ndërkombëtare. Për hir të së vërtetës, kjo gjë ka dhe disavantazhet e veta, në kontekst të adaptimit të individit si profesionist në standarde të caktuara, që jo domosdoshmërisht i gjen si të shpeshta në vendet tona dhe kjo të bën të formësohesh si natyrë përzgjedhëse dhe kërkuese.
‘’Public speaking’’ është një degë që në vendet e zhvilluara është shndërruar në një industri të vërtetë. Si lindi tek ju dëshira dhe interesi për ‘’ public speaking’’ dhe si e sollët në Maqedoni?
Në vazhdën e atyre sfidave që i pranoja me aq entuziazëm, edhe një herë isha me fat të pranohem në një kompani private ndërkombëtare, emër i madh biznesi në vendet tona por edhe në botë, e përmasave të mëdha dhe me performancë ekselence kudo që shtrihet në botë. Konsulenca që ofroj në fushën e marrëdhënieve me publikun , përfshirë të folurit publik dhe komunikim përgjithësisht, më nxiti të kërkoja dhe formësimin e edukimit formal me master në fushën e Marrëdhënieve Publike dhe Menaxhim Reputacioni, në Londër. Kjo e zhvilloi sensin tim kritik për këto tema dhe kuptova se sa ia kemi nevojën kësaj ekspertize, veçanërisht profilet që duhet të jenë profesionale në këtë sferë e që asisoji janë fare pak. Duke u thelluar profesionalisht t’i fillon të identifikosh zbrazëtirat e një fushe të caktuar dhe kështu kuptoja se sa për të ardhur keq janë profilet që kanë ekspozim publik ndërkohë që nuk kanë njohuri të mjaftueshme mbi etikën dhe të përfaqësuarit denjësishëm.
Fatkeqësisht shoqëritë si tonat prodhojnë profile të quajtura “ekspert për gjithçka” e që është shumë e dëmshme dhe ndihmon akoma më shumë stagnimin në vend të tyre.
Sa i përket të folurit publik, për ata që materie kryesore të veprimtarisë së vet kanë “fjalën”, duhet me patjetër të jenë mjeshtër për ta bërë atë sa më të fuqishme dhe me kuptimplote, në të kundërt, do të jenë përgjithmonë sikur të krahasosh të ofruarit e një produkti me shumë të meta në treg, pra që pak-kush e blen: ose ata që janë të detyruar , ose ata që e bëjnë nga hatri.
Ju keni një eksperiencë të gjatë në marrëdhënie me publikun dhe komunikim, por jeni themeluese edhe e ‘’School of Leadership’’. Pse në këtë iniciativë? Sa i rëndësishëm është lidershipi dhe i folurit publik në ditën e sotme? Sa i rëndësishëm është për biznesin?
“School of Leadership” erdhi pas një eksperience dekadëshe duke punuar ngushtë me liderë e duke njoftuar në vazhdimësi të atillë, si nga vendi dhe nga arena ndërkombëtare. Shkolla për Lidership erdhi si nevojë e brendshme e imja që të investoj nga ajo çfarë unë posedoj, për shoqërinë të cilës i përkas. Pyetjes filozofike që patjetërsueshëm vjen në një fazë jete se “përse unë dhe përse këtu?” u mundova t’i përgjigjem me ndjenjën më të lartë të përgjegjshmërisë, në një kohë kur euforia e largimit të të rinjve nga vendi ynë ishte shndërruar në eksod, apo të paktën mua më dhimbte aq thellë saqë e ndjeja kësisoj. Në pamundësi të bëja tjetër gjë, vura në lëvizje gjithë kapacitetin dhe potencialin tim në shërbim të një platforme që do shfrytëzohej nga të rinjtë , si fillim nga Maqedonia, për të gjetur një program të akredituar, të udhëhequr me leksione nga më të mirët e fushave përkatëse, kombinuar dhe me përvojë në praktikë, dhe e tëra kjo falas! Falas sepse askush nuk duhej të privohej për shkak të gjendjes socio-ekonomike në të cilën ndodhet, por edhe sepse nuk do të toleronim kompromise me nivelin e pjesëmarrësve, kundrejt një pagese, sadoqoftë ajo. Dhe ato që u dëshiruan të gjitha u arritën dhe bile u tejkaluan pritshmëritë.
Unë jam e bindur se për të riun ambicioz, tragjedia më e madhe është potenciali i papërmbushur dhe pikërisht kjo ishte arsyeja përse shumë nga ata që largoheshin dhe po largohen, e bëjnë këtë.
Në funksionalitetin më thelbësor, lidershipi është para së gjithash të marrësh guximin për të marrë jetën tënde në duart e tua dhe të nxjerrësh më të mirën nga ajo. Më pas e mira e përgjithshme, si forma më sublime e lidershipit, vjen pahetueshëm.
Platforma mbi lidershipin dedikuar target grupit të të rinjve, krahas trajnimit që është një shkollë në vete e gërshetuar midis tematikës së lidershipit, të folurit publik dhe aftësive debatuese, përmban edhe web-portalin rinor ’’ BonZo ‘’ që aludon dhe i dedikohet dhënies zë të vlerave dhe veprave të mira.
Ndërkohë kur flasim për biznesin, pa një lidership të fuqishëm, biznesi do të bëjë pjesë tek bizneset mesatare dhe të përkohshëm. Afinitet i fuqishëm i liderit të suksesshëm është edhe vizionaliteti , atribut ky që i përshkruhet në veçanti një lideri në fushën e biznesit të qëndrueshëm.
Ditëve të sotme ku bota po rend me dinamikë marramendëse, të qëndruarit në vend dhe pa përpjekje për të ndjekur trendin është luks që sjell kolapsin.
Çfarë programesh përfshin shkolla juaj?
Si tre tematika që komplementojnë njëra -tjetrën, ‘’Shkolla e Lidershipit’’ përmban modulin e : lidershipit, të folurit publik dhe debatimin. Këto janë ato fusha që do pajisnin liderin e ri në rrugën dhe sfidat drejt suksesit dhe përmbushjes së tij si lider, pavarësisht fushës që aspiron.
Veç kësaj, në paketën e trajnimeve që ofrojmë është edhe ai i: PR-it/apo Marrëdhënie me Publikun dhe Menaxhim Reputacioni, si edhe Brendimi (branding) për organizata (dhe biznese) si edhe për individë dhe po ashtu edhe trajnimi i “Etiketës së biznesit dhe protokollit diplomatik”.
Me plot vetëdije që të gjitha këto janë tematika relativisht të reja dhe të papërpunuara mjaftueshëm, jam e sigurt se brenda një kohe të shkurtër do të preken dhe konsumohen gjërësisht edhe nga audienca shqiptare, si nevojë e kohës.Lidershipi dhe e folura në publik duket se janë disi degë të reja apo konsiderohen të tilla në hapësirën shqiptare. Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për ju ?
Kur ti ke në mendje të bësh diçka dhe je i vendosur mbi të, do gjesh mënyra për ta realizuar planin tënd, paçka edhe nëse do shtrydhesh financiarisht nga kursimet e tua (Buzëqesh), apo edhe nëse do kundërshtohesh nga një pjesë se përse e bën këtë vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze, e bile edhe nëse do të të duhet të punosh palodhshëm për muaj të tërë, jashtë orarit të rregullt të punës, edhe si një nënë dhe një nënë në pritje. (Buzëqesh)
Si gjithkund ndaj të resë, edhe këtu si sfidë e parë e manifestuar hapur është hezitimi.
Mbase nuk do e quaja sfidë, por një moment interesant që s’e prisja, ishin teoritë që u shpërndanë shpejt se si “këta të Shkollës së Lidershipit me siguri sapo të jeni duke e kuptuar se çfarë bëjnë, do jenë duke formuar një parti politike”, apo edhe zëra të ngjashëm si këto. Më vjen pak për të qeshur por kjo edhe flet shumë për mendësinë e aq më shumë për realitetin e hidhur se: në shoqërinë tonë as nuk mund të mendohet, e aq më pak të besohet se dikush po bën një gjë pa pikën e interesit personal, për të tjerët. Por unë në të vërtetë nuk kam ndaluar dhe as shpenzuar as më të voglën energji për të ju mbushur mendjen skeptikëve, sepse edhe kësaj radhe doja që dobësia ime në promovimin e personales, të plotësohej përmes punës dhe veprave. Ndërkohë paralelisht, bota e zhvilluar iniciativat si këto, për të mirën e përgjithshme, i kanë më të shpeshta dhe njerëzit nuk tregojnë skepticizëm mbi to.
Siç ka thënë Eleanor Roosevelt: “E ardhmja u takon atyre që besojnë te bukuria e ëndrrave të tyre.” , por po ashtu edhe: ‘’ Ëndrrat nuk bëhen përderisa ti nuk punon për to. ‘’
Sa të interesuar janë shqiptarët të trajnohen dhe mësojnë më shumë mbi lidershipin?
Rinia shqiptare përgjithësisht kanë qasje pranuese ndaj të resë. E vetëdijshme për këtë, unë qëndroj shumë vigjilente në atë se çfarë ofrojmë për ata, duke dashur t’i mësoj me standarte të larta të cilat ata i meritojnë dhe jo thjesht vetëm sa për të thënë. Gjërat që ofrojmë duhet të përkojnë me po të njëjtat që do i donim për vete. Kështu mund të sigurohesh që je duke bërë gjënë e duhur.
Interesi i shprehur i rinisë shqiptare, përfshirë edhe atë nga Kosova e Shqipëria, ka qenë shumë i madh, aq sa ne fatkeqësisht nuk kemi mundur t’i pranojmë të gjithë. Në çdo thirrje të re për aplikime kemi pasur mbi njëqind, dhe herën e fundit afër dyqind aplikantë. Kjo shifër e atyre të cilët marrin iniciativën të mbushin fletë-aplikimet flet shumë. Mbi të gjitha mesazhi që unë lexoj nga ky numër është se njerëzit e ri duan shanse dhe duan shumë të mësojnë. Plot nga ata që marrin pjesë befasojnë me nivelin e tyre të lartë. Fakti që t’i krijon një vend ku i mbledh ata dhe u jep një shans më shumë dhe ushqen ata me motivim për çdo ditë, të mbush me motivim edhe ty dhe sado që është e lodhshme, madje shpeshherë edhe shterruese, është dhe adiktive sa i përket dëshirës për ta bërë prapë dhe çdoherë duke e pasuruar me risi.
Si përgjigje e interesimit të shqiptarëve në treshen e vendeve tona shqip-folëse, trajnime të radhës dhe bashkëpunime po dizenjohen bashkë dhe me Tiranën dhe Prishtinën.
Cilat janë cilësitë e një lideri të suksesshëm, sipas jush?
Një lider i mirëfilltë mbi të gjitha duhet të jetë i zhveshur nga egoja e vet. E dyta, në qoftë se nuk e ka të zhvilluar sensin e përgjegjshmërisë ndaj tjetrit dhe të mirës së përgjithshme, ai për mendimin tim është thjesht një menaxher dhe jo lider. Pra këto dy veti janë ato që me siguri e bëjnë diferencën dhe i japin përgjigje asaj pyetjes së madhe të dallimit midis liderit dhe menaxherit.
Kur flet për një lider, atributet si: disiplinë në punë, konsistencë, përqendrim, janë të padiskutueshme. Përtej kësaj, lideri duhet të jetë vizionar, shpesh-herë altruist, tolerant dhe me sens te zhvilluar mbi gjënë dhe mënyrën e duhur në kohën e duhur.
A duhet gjithsecili të jetë ndopak lider në përditshmërinë e tij?
Nisur nga koncepti i përgjigjes paraprake, do të ishte ideale nëse gjithkush do të ishte “ndopak lider”. Por për fat të keq në jetën reale nuk funksionon kështu. Ndaj, ata që janë me fat të jenë të pajisur me këto atribute si më lartë, kanë përgjegjësinë morale mbi të gjitha, që t’i ndihmojnë dhe ata të tjerët, sepse të jesh lider nuk është të ecësh i pari, por i fundit (dhe jo vetëm në kuptimin figurativ), është të jesh siguruar se të gjithë të tjerët janë mirë përpara se të fokusohesh te vetja, është ta duash ndryshimin dhe të punosh për të pa kompromise ndaj dëshirave të tua, është t’ia zgjasësh dorën tjetrit me vet-iniciativë dhe jo vetëm kur ta kërkon.
Të punosh që të gjesh liderin brenda vetes tënde, është punë serioze survejimi të vetes dhe mbi të gjitha, të qëndrosh besnikërisht i sinqertë përgjatë procesit. Në këtë mënyrë do të gjesh liderin dhe do të zhvillosh lidershipin autentik tëndin.
Thuhet se suksesi është pjesë e zakoneve dhe përcaktohet nga gjërat që bëjmë çdo ditë. Cilat janë ato veprime , qëndrime , sjellje që do t’i këshillonit njerëzve për të qenë të suksesshëm në jetën e tyre?
Janë shumë, por ato pa të cilat një lider nuk mendohet të ishte, janë pa dyshim atributet si: sinqeriteti dhe integriteti, përkushtimi dhe pasioni, inspirimi i të tjerëve, aftësitë komunikuese, aftësitë vendimmarrëse dhe kreativiteti.
Nëse këto duken si shumë, të gjitha janë të arritshme edhe atë mbi të gjitha duke krijuar një qasje serioze së pari ndaj vetes dhe të tjerëve dhe mos harroni, të tjerët ju perceptojnë ashtu siç e poziciononi ju veten. Por edhe nëse pozicionoheni në vendin që nuk e meritoni, kjo do të jetë një maskë e përkohshme, për çfarë respektin e humbur do ta keni shumë vështirë ta riktheni, ndaj kujdes me veten!
Një lider duhet të qëndrojë i mirë informuar për ndodhitë e përditshme, ai duhet të mirëmbajë relacionet me lidhjet e krijuara dhe të punojë në krijimin e atyre të rejave, duhet të bëjë një jetë shembullore ashtu siç është modeli që promovon karshi të tjerëve dhe mbi të gjitha të ketë krijuar mekanizmat e vet për të vazhduar të ecë me kurajo edhe kur duket shumë e vështirë.
Shumë pozitivitet është ajo që tërheq njerëzit, sepse ajo është çfarë gjithsecili ka shumë nevojë në kohë të ritmeve dhe dinamikave intensive, gjithnjë e në rritje.
“Zogjtë gjejnë strehim gjatë shiut, por shqiponjat e shmangin shiun duke fluturuar përmbi re. Ashtu siç problemet janë të zakonshme, por dallimin e bën qasja ndaj tyre.” (Dr. A. Kalam)