Shqipëria në ditën e dytë të lehtësimit të masave

Tirana dhe qytetet tjera të Shqipërisë sot ishin më pranverore se kurrë më parë. Në kryeqytetin shqiptar sot me cicërimat e zogjve, dëgjoheshin edhe të qeshurat e fëmijëve, të cilët sëbashku me nënat e tyre po shijonin orët e lirisë, pas një muaji izolim. Disa kishin zgjedhur të kapur dorë për dore të shijonin ajrin e pastër dhe bulevardet e zbrazëta, që në ditët e zakonshme janë gjithmonë përplot me vetura dhe kolona të gjata të shoqëruara nga boritë shurdhuese.

Disa të tjerë kishin preferuar zonën e Liqenit dhe gjelbërimin e parqeve, për shëtitje në këmbë apo me biçikleta. Rrezet e diellit për disa orë i shijuan edhe nënat dhe fëmijët në Durrës, në Lezhë, Korçë, Elbasan, Fier dhe pjesën tjetër të Shqipërisë.

“Ja duke bërë një xhiro me fëmijët.”

“Jam shumë e lumtur që dola sot dhe shpresoj që gjithmonë të dalim kështu.”

“Unë për vete jam shumë e lumtur që kemi marrë ajër të pastër

Në ditën e dytë të lehtësimit të masave kundër përhapjes së virusit korona, kryeministri Edi Rama, në faqen e tij zyrtare shkruan:

Sa bukur do të ishte sikur gjithnjë më pas, të kishim fundjava pa makina fare dhe të mbanim mend, se për hir të gjyshërve e të fëmijëve së paku, jetohet edhe pa semaforë, pa bori e pa smog, të shtunave e të dielave në këtë vend me klimë të mrekullueshme, të paktën nga shtatori në prill kur s’ka nisur ende koha e plazhit – deklaroi Edi Rama- kryeministër i Shqipërisë.

Sot kur besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët, Bashkia e Tiranës, u bëri thirrje qytetarëve që nuk përfshihen në lehtësimin e masave të dalin në dritare, sepse kishte një përshëndetje të veçantë për ta.

Nesër në lehtësimin e masave do të përfshihen disa biznese, që paraprakisht duhet të plotësojnë një sërë kushtesh të vendosura nga institucionet relevante. Megjithatë, beteja me virusin korona vazhdon edhe më tej. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 14 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga COVID-19 në 562, ndërsa 12 persona i janë shtuar listës së të shëruarve.