Shqipëri, shënon ulje numri i të prekurve nga virusi Korona

Shkon në 475 numri i të prekurve nga Covid-19 në Shqipëri. Numri i rasteve të reja në 24 orët e fundit është 8. Ndërkohë 16 pacientë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 248. Deri më tani 24 qytetarë kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Janë testuar 236 persona të dyshuar nga të cilët 45 janë personel shëndetësor, kryesisht në spitalin e Shkodrës. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 8 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 raste në Tiranë, 1 personel shëndetësor në Shkodër dhe 1 personel shëndetësor në Kukës. Deri në këto momente janë testuar 4306 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 475 raste – deklaroi Eugena Tomin, Instituti i Shëndetit Publik.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të paketës së zgjeruar financiare, foli edhe për lehtësimin e masave dhe hapjen graduale. Ai tha se është duke u përgatitur një plan për këtë, ndërsa lokalet dhe restorantet do të jenë të fundit që do të hapen.

Do të ketë rregulla strikte për hapjen e aktiviteteve tregtare apo ekonomike. Asnjë vend nuk ka folur për një hapje, ku restorantet apo lokalet janë në fillim apo në mes të procesit. Ata do të jenë të fundit që do të hapen. Është e pamundur ndryshe – tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Ndërkohë në Kosovë aktualisht janë 377 persona të infektuar me koronavirus; 8 pacientë kanë vdekur, ndërsa 63 janë shëruar.