Shqipëri, policia arreston tre persona për zjarrvënie

Tre persona të dyshuar për zjarrvënie në territorin e qarkut Vlorë kanë rënë në prangat e Policisësë Shqiptare.

“Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si rezultat i informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, u bë ndalimi i shtetasit S. Q, 59 vjeç, banues në fshatin Dukat. Ky shtetas dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të egër, në zonën e quajtura “Toc” dhe “Gjolpec” në Karaburun”, bën të ditur Policia e Shtetit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit I. S., 45 vjeç, banues në Përmet.

Sipas Policisë ky person dyshohet se mesditën e djeshme, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe toke, me qëllim pastrimin e saj dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur dhe një sipërfaqe pylli me pisha, në fshatin Delisuf.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “shkatërrimi i pronës me zjarr” i shtetasit L. M, 53 vjeç, pasi dyshohet si autori i zjarrvënies në fshatin Shalës, ku është djegur një sipërfaqe toke, rreth 2 hektarë.