Shqipëri, 3 deputetë rezultuan pozitivë me Kovid-19

Për herë të dytë për këtë javë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhen në seancë plenare, pavarësisht rregullave të diktuara për shkak të rasteve me COVID-19 që u shfaqën dje në Kuvend.

Gjatë ditës së djeshme u bë e ditur se kanë rezultuar pozitivë me koronavirus deputetët Ralf Gjoni, Eljo Hysko dhe Enver Roshi. Ndërkohë Komisionet, parlamentare, Byroja dhe Konferencat e Kryetarëve do të vijojnë online dhe nuk do të mblidhen në sallat e Kuvendit.

30 Korriku pritet të shënojë edh fundin e këtij sesioni, ku është vendosur që deputetët të diskutojnë mbi ndryshimet kushtetuese, që e kanë thelluar edhe më tej debatin politik.

Nisma që parashikohet të hidhet për votim e që ka kaluar më parë në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, parashikon hapjen e pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë në masën 2/3. Këto ndryshime mbështeten nga kryeministri Rama, por aspak nga opozita jashtëparlamentare, pasi argumentojnë se qëllimi i vetëm i Ramës është eliminimi i koalicioneve parazgjedhore.

Opozita e Bashkuar ka prezantuar së fundmi propozimin për hapje 100% të listave të kandidatëve për deputetë, porse koalicionet parazgjedhore të mos preken dhe të ruhet formula ekzistuese e shpërndarjes së mandateve për deputetë.

Për këtë propozim të fundit palët nuk kanë gjetur asnjë pikë ku mund të afrohen. Ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak nga dita e votimit, pritet që negociatat si publike, ashtu edhe në prapaskenë të jenë të ethshme./TCh/