Një makinë bombë shpërtheu mëngjesin e së shtunës në një pikë kontrolli në kryeqytetin somalez të Mogadishu duke u marrë jetën të paktën 70 personave dhe plagosur dhjetëra të tjerë.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në një orë kur fluksi i njerëzve në këtë zonë të qytetit ishte shumë i madh. Burime nga shërbimet e urgjencës bëjnë më dije se bilanci i viktimave mund të rritet për shkak të numrit të lartë të të plagosurve rëndë.
Kreu i bashkisë së Mogadishut, i pranishëm në vendgjarje njoftoi se mes viktimave ka disa shtetas turq dhe një numër të madh studentësh.
Ende asnjë grup militant nuk ka marrë përgjegjësinë e këtij sulmi, megjithatë dyshohet që ai të jetë organizuar nga Al Shabab, fraksion i Al Kaedës i cili dhe në të shkuarën ka ndërmarrë atentate të ngjashme.