SHBA-të ‘all in’ me Grenellin në dialogun Kosovë – Serbi, a do të kemi “marrëveshje të shpejtë”

Grenell nuk do të jetë më ambasador i SHBA-ve në Gjermani dhe kjo është konfirmuar edhe nga zyra e tij, shkruan lajmi.net.

Ditët e fundit, Grenell ishte emëruar edhe në pozitën e shefit të inteligjencës amerikane për një periudhë të caktuar por shumë shpejt, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump emëroi shefin e inteligjencës.

Tani, Richard Grenell do të jetë ekskluzivisht i ngarkuar me detyrë për dialogun Kosovë – Serbi, si i dërguar i Posaçëm i Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Lidhur me këtë çështje, se si do të ndikojë kjo në dialogun Kosovë – Serbi dhe a mund të ketë marrëveshje të shpejtë midis dy vendeve si konsekuencë e kësaj, lajmi.net ka folur me njohësit e çështjeve politike.

Analisti Blerim Burjani për lajmi.net është shprehur se marrëveshje pritet të ketë shumë shpejtë dhe pa asnjë hezitim.

Ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë plotësisht primatin për të normalizuar marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshje pritet të ketë shumë shpejt dhe pa asnjë alternativë e hezitim. Sa më parë duhet të ndodhë marrëveshje këtë e kanë bërë me dije që nga viti i kaluar se do të ketë marrëveshje pasi që është dialoguar më shumë se shtatë vite, andaj SHBA-të e kanë marrë plotësisht primatin për të normalizuar raportet Kosovë – Serbi”, tha Burjani për lajmi.net.

Më tutje, Burjani është shprehur se zhvillimet dinamike dhe loja e madhe politike në raportet Kosovë – Serbi mund ta zë në gjumë qeverinë e re të Kurtit e cila edhe mund të rrëzohet në rast se refuzon marrëveshjen.

“Thaçi dhe Vuçiqi kanë negociuar në një kohë të gjatë për këtë. Thaçi pritet të raportoj në Kuvend për dialogun dhe bisedimet në Washington. Thaçi është i interesuar që këtë koalicion ta rrëzojë nëse nuk pranojnë zgjidhjen dhe marrëveshjen dhe kjo është lojë e madhe politike që qeverinë e pa përvojë e zë në gjumë, pra mund të kemi zhvillime dramatike në këtë periudhë që vjen”, tha Burjani për lajmi.net.

Më tutje, Burjani është shprehur se nuk ka kohë për zvarritje të procesit duke shtuar se SHBA-të e kanë marrë primatin e dialogut për shkak të dështimit të BE-së.

Në fund, Burjani është shprehur se Kosova duhet që fuqishëm të përkrah idenë amerikane për zgjidhje pa alternativë të problemit midis Kosovës dhe Serbisë.

“Pra nuk ka kohë më për zhagitje përmes heqjes së pjesshme apo të plotë të taksës, Serbisë nuk i intereson kjo taksë fare por marrëveshja po i intereson me të madhe ndërsa të tjerat nuk kanë rëndësi fort për Serbinë. Ishte gabim të mendohet se taksa ndal diçka në këtë drejtim. SHBA-të e kanë marrë primatin dhe BE është e vetëdijshme që ka dështuar dhe po kërkon ngadalësim në proces. Nuk duhet të ketë përçarje në Kosovë. Kosova duhet fuqishëm të përkrah idenë amerikane për zgjidhje pa alternativë”, tha Burjani në fund për lajmi.net.

Njëjtë ka menduar edhe njohësi i çështjeve politike dhe sociologu, Jeton Brajshori.

Ai për lajmi.net është shprehur se do të intensifikohet presioni amerikan për të përmbyllur marrëveshjen Kosovë – Serbi.

Gjithashtu, Brajshori është shprehur se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka koncentruar gjithë potencialin për arritjen e marrëveshjes kah SHBA-të.

“Pas largimit të ambasadorit Grenell nga pozita e tij që ka pasur deri më tash , është hapur një rrugë e cila do ta përshpejtojë marrëveshjen. Duke filluar nga tash e tutje presioni amerikan do jetë çdo ditë e më i intensifikuar, Richard Grenell do të përkushtohet maksimalisht që të arrijë një marrëveshje të shpejt dhe sa më parë të përfundoj ky dialog. Nëse qeveria nuk reflekton së shpejti, ajo do të ketë pasoja të rënda në mes marrëdhënieve SHBA-Kosovë, gjë të cilën e dëshiron me ngulm Serbia. Fjalimi i sotëm i presidentit Thaçi u pa qartë dhe me të drejt se ai të gjitha forcat i ka të koncentruar të ruajtja e marrëdhënieve me SHBA , duke e kritikuar BE- ë për paaftësi karshi qasjes së tyre në raport me vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës e ka shansin e fundit që ti plotësoj kërkesat e administratës së SHBA dhe duhet qysh sonte ti largoj taksat pa kushte”, tha Brajshori për lajmi.net.

Më tutje, Brajshori është shprehur se presidenti Trump dëshiron marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë.

Brajshori i ka bërë thirrje qeverisë së udhëhequr nga Kurti që të largojnë taksën dhe të koordinohen me SHBA-të për përmbylljen e procesit të dialogut me marrëveshje.

“Delegimi i Richard Grenell ekskluziv për bisedimet mes dy vendeve na jep një sinjal të qartë se presidenti Trump dëshiron që të ketë një marrëveshje sa ma shpejt që të jetë e mundur dhe mundësisht të jetë para fillimit të fushatës presidenciale në SHBA. Mirëpo presioni duhet të bëhet edhe te pala tjetër e cila po vazhdon fushatën agresive të çnjohjeve, e fundit ishte dje nga Sierra Leone. Pala kosovare duhet të insistoj dhe të koordinohet së pari vetëm me SHBA-të dhe pastaj me shtetet e BE-së , jemi në një situatë kritike dhe shihet qartë që marrëveshja do të ndodhë, nëse qeveria nuk reflekton , këto bisedime do ti zhvilloj presidenti atëherë to të jetë vonë për kritika, pra thirrje për qeverinë, hiqeni taksën koordinohuni me SHBA-të”, tha Brajshori në fund.

Vlen të theksohet se Bashkimi Evropian gjithashtu pritet të emëroj të dërguar Special për Dialogun Kosovë – Serbi e që emri më i përfolur është ish-ministri i jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak.