SHBA, një tigër rezulton pozitiv me COVID-19

Një tigër në kopshtin zoologjik të Bronx-it, New York ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit të ri, ndërsa besohet se ky është infektimi i parë i kafshëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Në njoftimin e Organizatës për mbrojtjen e jetës së egër të lëshuar të dielën thuhet se Nadia, tigër femër malajas 4 vjeçar, është pozitiv me COVID-19.

“Një kollë e thatë është vërejtur tek ajo, tek motra e saj Azul, dy tigrat amur dhe tre luanët afrikanë, ndërsa pritet që të gjithë të shërohen”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se besohet se kafshët i ka infektuar personi që është kujdesur për to por që ka qenë asimptomatik.

Rezultatet e testit i konfirmuan edhe Laboratori kombëtar për shërbime veterinare pranë Departamentit të Bujqësisë së SHBA-ve, e vendosur në Ames, Iowa.

“Nuk ka dëshmi se kafshët luajnë një rol në transmetimin e COVID-19 tek njeriu, përveç rastit të tregut në Wuhan dhe nuk ka dëshmi se një person në SHBA është infektuar me COVID-19 nga kafshët, përfshirë kafshët shtëpiake, qentë dhe macet”, thuhet në njoftim.

Pasi u shfaq për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën dhe bazuar në të dhënat e Universitetit “Johns Hopkins” me bazë në SHBA numri i të vdekurve nga ky virus është mbi 67 mijë, ndërsa numri i të infektuarve mbi 1.2 milionë./AA/