SHBA, ndotja e ajrit zvogëlohet për 30 për qind për shkak izolimit

Për shkak se një pjesë e madhe e amerikanëve po qëndrojnë në shtëpi si pasojë e pandemisë COVID-19, ndotja e ajrit në qytetet e mëdha të SHBA-së është zvogëluar me 30 për qind.

Sipas të dhënave satelitore të Qendrës së Fluturimeve Hapësinore Goddard të publikuara në faqen e internetit të NASA-s, në metropolet në verilindje të SHBA-së në muajin mars është vërejtur rënie me 30 për qind në nivelin e ndotjes nga dioksidi i azotit, krahasuar me mesataren e katër viteve të fundit.

Zyrtarët e NASA-s, duke theksuar se dioksidi i azotit buron nga karburanti fosil i konsumuar për transport dhe prodhimin e energjisë, thanë se ulja e ndotjes së ajrit është një tregues i ndryshimit në aktivitetin njerëzor për shkak të pandemisë.

Megjithatë, zyrtarët theksuan se kjo rënie në Boston, New York dhe Washington DC është e përkohshme dhe se të dhënat mund të kthehen si më parë nëse shfuqizohet urdhri për qëndrim në shtëpi.