SHBA, ndalohet lëvizja në San Francisco shkaku i Covid-19

Qyteti San Francisco në shtetin federal të Kalifornisë në SHBA ka hyrë në bllokim 24-orësh për të paktën tre javë, për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit të ri.

“Duke hyrë në fuqi në mesnatë, San Francisco do t’u kërkojë qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi përveç nevojave thelbësore”, shkroi mbrëmë vonë kryebashkiaku London Breed në Twitter. “Funksionet e domosdoshme qeveritare dhe dyqanet elementare do të mbeten të hapura”, shtoi ai.

Breed theksoi se këto hapa bazohen në këshillat e ekspertëve të shëndetit publik për të ngadalësuar përhapjen e Covid-19.

Sipas faqes së internetit në TMZ me seli në Kaliforni, kryebashkiaku shtoi se të gjithë qytetarët mund të largohen nga shtëpitë vetëm për të shkuar në mjek apo për të blerë produkte ushqimore.

Kryebashkiaku Breed tha se vendimi do të jetë në fuqi për të paktën tre javë.

Gjithashtu, gjashtë qarqet në rajon po u bëjnë thirrje banorëve të tyre të qëndrojnë në shtëpi nëse nuk kanë punë elementare siç janë operacionet e kujdesit shëndetësor, dyqanet ushqimore, strehimore, media, stacionet e benzinës dhe bankat. Restorantet mund të qëndrojnë të hapura, por të punojnë vetëm me sistem sporteli apo me shpërndarje.

Sipas Universitetit “Johns Hopkins” në Maryland, numri i personave që kanë vdekur nga koronavirusi i ri në SHBA është rritur në 85, me mbi 4.600 raste të konfirmuara.

Në Kaliforni deri tani janë konfirmuar 7 raste të vdekjeve që ndërlidhen me koronavirusin.

Virusi u shfaq fillimisht në dhjetor në qytetin kinez Wuhan dhe është përhapur në të paktën 146 vende dhe territore. Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandemi botërore.