SHBA-ja e zhgënjyer me bllokadën bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut

Shpresojmë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ne e kemi bërë shumë të qartë se duam të shohim konferencën e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit. Ne e shohim hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE si interes të përbashkët, deklaroi ambasadorja e SHBA-ve Kejt Mari Bërns në një intervistë për televizionin Telma.

Sipas Bërns, kontestet dypalëshe mes vendeve duhet të zgjidhen jashtë procesit të integrimit.

“Jemi të zhgënjyer që Bullgaria e bllokon progresin. Me të vërtetë është e rëndësishme dhe ne vazhdojmë të komunikojmë në lidhje me këtë në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut, që të dy vendet të vazhdojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe jashtë dhe të ndara nga procesi i integrimit evropian”, deklaroi Ambasadorja e SHBA-së Kejt Mari Bërns.

Ambasadorja e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, u bëri thirrje të gjitha partive politike të bashkohen rreth dy sfidave kryesore me të cilat përballet vendi – lufta kundër Covid-19 dhe zbatimi i reformave për anëtarësim në BE.

“Gjëja e parë që kërkojnë qytetarët janë zgjidhjet. Shumë e lehtë është të tregosh sfidat, të kritikosh, por ajo që është e vështirë është të punosh së bashku për zgjidhje efektive. Shpresojmë që opozita, por edhe të gjitha partitë politike, të gjitha organizatat të qëndrojnë prapa këtyre dy qëllimeve. Së pari për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe shëndetin e qytetarëve dhe së dyti për të investuar në një të ardhme pozitive që vjen me agjendën e reformave dhe përparimin në rrugën euroatlantike”, tha Bërns në Televizionin Telma.