Kreu i Federatës Greke të Hotelierëve, Grigoris Tassios thekson se sipas planit të qeverisë greke për zbutjen e masave restriktive dhe për kthim gradual të jetës në normalitet, hapja e hoteleve dhe objekteve turistike pritet të ndodhë gjatë muajit korrik. Hotelet që funksionojnë gjatë gjithë vitit është planifikuar të hapen në qershor, ndërsa objektet turistike sezonale janë në fazën e fundit, respektivisht në fazën e shtatë të planit, ku ende nuk është caktuar datë konkrete për hapjen e tyre.
“Sezoni ka të ngjarë të fillojë në korrik dhe këtu sipas funksionimit, më nuk ka asnjë dallim mes hotelerisë sezonale dhe hoteleve që funksionojnë gjatë gjithë vitit, gjithçka është e njëjtë,” tha ai.
Sipas tij, situata është shumë e vështirë, sepse teorikisht sezoni turistik tashmë ka humbur dhe se vendi ka vetëm rreth dy muaj sezon për turizëm, gjë që nuk është e mjaftueshme.