S’dihet nëse vetting-u do të jetë në rend dite në Kuvend

Lidhja Socialdemokrate qeveritare hesht rreth Propozim-ligjit për Veting, i dorëzuar në Kuvend nga BDI-ja. Një ditë më parë nga partneri qeveritar i BDI-së u arsyetuan se ky propozim ligj ende nuk u është shpërndarë deputetëve, andaj edhe nuk janë njoftuar me tekstin dhe nuk mund të deklarohen nëse e mbështesin ose jo të njëjtin. Megjithatë, deputeti Grubi për Alsat shprehet se LSDM-ja dhe VMRO-ja tekstin e këtij propozim ligji e kanë në duar tashmë disa muaj.

Ka disa muaj që LSDM-ja dhe VMRO-ja e kanë tekstin e propozim ligjit dhe në kontaktet tona kanë qenë shumë shumë afrimativ për përkrahjen e këtij propozim ligji. Ju e dini që edhe LSDM-ja iu bashkëngjit idesë së BDI-së për Veting dhe uroj që këtë tekst ta mbështesin edhe ato pasi që asnjëherë nuk është vonë për transparencë para qytetarëve”-tha Artan Grubi- BDI.

Shpërbërjen e Kuvendit më 12 shkurt, BDI-ja nuk e sheh si pengesë për miratimin e ligjit, pasi sipas Grubit e gjithë procedura mund të përfundojë brenda një ditë, kuptohet nëse ka vullnet të mirë politik. Qëndrimet e opozitës shqiptare rreth Vetting-ut të shpalosura një ditë më parë për Alsat, Grubi i cilëson si jo serioze, pasi siç thotë kanë folur pa lexuar asnjë rresht të propozim- ligjit. Sipas tij, nëse opozita pengon miratimin e Vetting-ut, diçka të tillë e bën për të mbrojtur strukturat e kriminalizuara në radhët e saj. Një ditë më parë opozita shqiptare deklaroi se e mbështet Vetting-un por është qesharake që një nismë e tillë vjen nga BDI-ja. VMRO-DPMNE-ja e quajti qasje joserioze dorëzimin e këtij propozim-ligji vetëm 10 ditë para shpërbërjes së Kuvendit.