Samiti i Zagrebit, Thaçi kërkon liberalizim të vizave

epa05792927 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci during his meeting with Norwegian Minister of Foreign Affairs Brende Borge (not pictured) in Pristina, Kosovo, 14 February 2017. Borge is one-day official visit to Kosovo. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga shtetet anëtare të BE-së të marrin sa më parë vendimin për liberalizim të vizave me Kosovën.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, Thaçi i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Biseda u zhvillua në prag të Samitit të Zagrebit që mbahet sot midis përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së.

Në komunikatën e Presidencës së Kosovës po ashu thuhet se Thaçi dhe Michel “u pajtuan që BE-ja duhet të vazhdojë angazhimin për perspektivën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”.

“Dy liderët u pajtuan se përkundër rrethanave të pandemisë së shkaktuar nga COVID19 [sëmundja që e shkakton koronavirusi], angazhimi për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe garantimin e punës së institucioneve të pavarura është jetik”, thuhet në komunikatë.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pari në dy vjet, do të zhvillohet online, për shkak të situatës së krijuar me koronavirus.

Fillimisht ka qenë e paraparë që samiti t’i përafrojë më tej gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – me Evropën, përmes stimujve ekonomikë dhe reformave.

Por, takimi tani pritet t’i shmangë bisedimet për anëtarësim në BE dhe të përqendrohet në ndikimin socio-ekonomik të pandemisë së koronavirusit, e cila ka vrarë afro 140,000 njerëz në Evropë.

Samiti organizohet nga Kroacia, si udhëheqëse aktuale e presidencës së BE-së.