Rusia urdhëron dëbimin e të huajve me koronavirus

Kryeministri i Rusisë, Mihail Mishustin ka pranuar se vendi i tij ka urdhëruar dëbimin e të huajve që janë të infektuar me koronavirusin e ri.

Kryeministri ka urdhëruar vendosjen e koronavirusit në listën e sëmundjeve që janë shumë infektive, që mundëson masa më të rrepta ndaj shtetasve të huaj me shenja sëmundjeje, përfshirë karantinën dhe dëbimin.

“Tani koronavirusi është shtuar në listën e sëmundjeve shumë infektive. Kjo do të mundësojë dëbimin e shtetasve të huaj, nëse vërtetohet se kanë këtë sëmundje dhe shpalljen e masave të veçanta kufizuese, duke përfshirë izolimin dhe karantinën”, theksoi Mishustin.

Ai gjithashtu rikujtoi se ‘’Rusia ka mbyllur kufijtë me Kinën dhe ka ndërprerë qarkullimin në kufirin mes Rusisë dhe Mongolisë si dhe ka ndaluar përkohësisht dhënien e vizave për grupet turistike dhe vizat e punës për qytetarët kinezë”.

Deri më tani, koronavirusi i ri ka shkaktuar vdekjen e të paktën 361 personave në Kinë, ndërsa mbi 17 200 të tjerë janë infektuar.