Rusia bën thirrje për armëpushim në Libi

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, ka thënë se Rusia e konsideron armëpushimin në Libi si kusht për fillimin e dialogut politik, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Lavrov tha se asnjë kusht nuk duhet t’i paraprijë ndërprerjes së armiqësive.

“Besoj se armëpushimi është kushti kryesor për fillimin e dialogut politik. Për më tepër, një armëpushim i tillë duhet të ndodhë pa ndonjë kërkesë paraprake. Është në interes të popullit libian të përfundojnë luftimet, të deklarohet një armëpushim i pacaktuar dhe të fillojë një dialog i cili do të synonte arritjen e marrëveshjeve të tilla që do të zbatohen”, tha ai.

Ai tha se marrëveshjet që “janë ofruar nga jashtë” nuk kanë funksionuar, duke përfshirë edhe ato në konferencat në Francë, Itali dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Tani flitet shumë për përgatitjet për një konferencë në Berlin. E gjithë kjo do të ruajë situatën aktuale të paqartë nëse palët nuk dakordohen në mënyrë shumë specifike se si të sigurohen që të merren parasysh të gjitha interesat politike, klanore dhe etnike në Libi”, tha Lavrov.

Në lidhje me shpalljen e zonës së ndaluar për fluturimet në Libi, Lavrov thotë se kjo ide ka konotacion negativ, pasi bombardimi i vendit filloi pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së autorizoi një gjë të tillë.

“Është më mirë të sigurohemi që të gjithë faktorët ndërkombëtarë, pa asnjë përjashtim, të ndikojnë në palët libiane në një drejtim, që menjëherë të ndërpresin luftimet, të shpallin një armëpushim të pacaktuar dhe të negociojnë mes vete dhe të bien dakord në mënyrë që pastaj e gjithë kjo të zbatohet. Sigurisht, roli i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në sigurimin e marrëveshjeve të këtilla përfundimtare ndërkombëtare është absolutisht thelbësor”, tha Lavrov.

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë e njohur nga OKB nënshkruan një pakt mbi bashkëpunimin ushtarak, si dhe një tjetër mbi kufijtë detarë në Mesdheun Lindor.

Që nga rrëzimi i udhëheqësit të ndjerë libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.