Ruçi: Vepra e UÇK-së është çlirimi i Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka reaguar për dorëheqjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe udhëheqësit e saj janë në anën e duhur të historisë, transmeton Anadolu Agency(AA).

Në deklaratën e publikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Ruçi thekson se dorëheqja e presidentit Thaçi dhe deklarimi i tij për t’u përballuar me drejtësinë është “një akt emancipimi, përgjegjësie dhe vendosmërie për t’u përballur dhe për të mbrojtur të vërtetën dhe të drejtën”.

“Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Populli kosovar dhe udhëheqësit e luftës çlirimtare kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. Drejtësinë e kësaj luftë e ka vërtetuar koha”, thekson Ruçi.

Kryeparlamentari i Shqipërisë shprehet më tej se në gjykimin për të vërtetën, gjithkush mund të ketë interpretimet e veta, por jo faktet e veta. “Faktet dhe e vërteta janë një dhe vetëm një: Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta”, thuhet në deklaratën e Ruçit.

“Jam i bindur se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe drejtuesit e tjerë të kësaj lufte do të dinë ta pohojnë këtë të vërtetë përballë drejtësisë dhe do të venë në vend nderin, dinjitetin dhe kontributin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të popullit të vet, të lirisë, të drejtësisë dhe të paqes. Ata kanë mbështetjen e të gjithë shqiptarëve si edhe të gjithë njerëzve të planetit që aspirojnë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën”, shprehet Ruçi.

Gjithashtu ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili në rrjetet sociale shkruan se “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë. Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre.”

Në lidhje me dorëheqjen e Thaçit, më parë kanë reaguar edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

Kujtojmë se sot Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga posti pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës.

Në fund të qershorit, Zyra e Prokurorit të Specializuara i ka paraqitur Dhomave të Specializuara aktakuzë ku presidenti Thaçi akuzohet “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura” gjatë luftës së fundit në Kosovë.