Rritet numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, 16 raste të reja në 24 orët e fundit

Ka shkuar në 377 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 16 raste të reja, ndërsa listës të së shëruarve i janë shtuar edhe 12 pacientë.

Në 24 orët e fundit janë testuar 175 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 16 raste të reja me COVID-19. Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 116. Pra rreth 30% e të prekurve deri tani rezultojnë të shëruar. Janë testuar gjithashtu 11 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar të gjithë negativë nga COVID-19 – tha Mira Rakacolli, zv. ministre e shëndetësisë.

Në një komunikim përmes “Facebook-ut”, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Shkodra është kthyer në një bombë të kurdisur me sahat, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, duke shtuar se do të bëjë gjithçka për të këputur zinxhirin e infeksionit.

Do mundohemi të izolojmë të gjithë të dyshuarit. Situata është shumë delikate. Ajo që ka rëndësi të thuhet edhe njëherë është fakti se kemi të bëjmë me një rezultat për të cilin të gjithë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm dhe shumë të inkurajuar, një rezultat shumë pozitiv – deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Në Kosovë janë regjistruar edhe dy viktima duke çuar numrin e përgjithshëm në tre. Në Kosovë, deri më tash janë konfirmuar 145 raste me koronavirus, përfshirë këtu edhe 23 pacientët që janë shëruar. Nga radhët e komunitetit serb, janë infektuar 27 persona, ndërsa një ka vdekur. Komuniteti serb i raporton rastet e veta në Serbi. Nga ana tjetër presidenti serb Vuçiç ka shprehur gatishmërinë për siç tha bashkëpunim të plotë me autoritetet në Prishtinë, në luftën kundër koronavirusit. Si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit sheshet kryesore në Prishtinë janë bllokuar për qarkullim nga Policia e Kosovës.

Kryeministri britanik, Boris Xhonson i cili mbrëmë u dërgua në spital me simptome të vazhdueshme të koronavirusit, “mbetet i angazhuar me punët e qeverisë”, tha sekretari britanik i Komuniteteve dhe Qeverisjes Lokale, Robert Jenrick. Xhonson ka dalë pozitiv në testin për koronavirus më 27 mars dhe që atëherë ka qenë në vetizolim në shtëpi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp, tha se sheh shpresë në luftën kundër koronavirusit. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Tramp tha se numri i viktimave në SHBA do të arrijë nivele “të tmerrshme” gjatë dy javëve të ardhshme, por shtoi se numri i njerëzve të infektuar është duke “u nivelizuar”.

Shohim dritë në fund të tunelit. Shohim që po ndodhin gjëra të mira – tha Donald Tramp, President i SHBA-së.

Të dielën, Nju Jorku, që është epiqendra e shpërthimit të sëmundjes në SHBA, raportoi rënie të numrit të të infektuarve të rinj dhe të viktimave.

Numri ditor i viktimave të koronavirusit në Spanjë ka rënë për të katërtën ditë me radhë.

Qeveria spanjolle raportoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur 637 persona, krahasuar me 674 viktima të raportuara në 24-orëshin paraprak. Shifra e sotme e viktimave është më e ulëta qysh më 24 mars.

Austria ka paralajmëruar se mund të nisë lehtësimin e masave të izolimit nga java e ardhshme. Kancelari austriak Kurz kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë distancimin fizik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit. “Synimi është nga 14 prilli. Dyqanet e vogla deri në 400 metra katrorë mund të hapen sërish, nën kushte të rrepta të sigurisë natyrisht”, tha Kurz. Austria, vend me 8.8 milionë njerëz, aktualisht ka 12,058 të infektuar me koronavirus, 204 viktima dhe 2,998 të shëruar.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 1.2 milion njerëz në gjithë botën. Më shumë se një e katërta e tyre janë shëruar plotësisht nga sëmundja, ndërsa më shumë se 70 mijë kanë vdekur.