Rrënohet barakat shtetërore në Butel, familjet mbesin në rrugë

Familjet e rrezikuara sociale që jetojnë nëpër baraka shtetërore në Butel druajnë se do të mbeten pa kulm mbi kokë. Një eskavator ka filluar me prishjen e barakave, duke pastruar terrenin. Në këtë vend pritet të ndërtohet ndërtesë sociale. Por, mbetet të prishet edhe ky objekt ku jetojnë disa familje. Ata sot reaguan para kamerës së Alsat që në mes të dimrit do të mbeten në rrugë. E hëna është afati kur duhet t’i lëshojnë objektet, të cilat edhe ashtu janë pranë shkatërrimit. Ata gjithashtu nuk kanë rrymë dhe ujë.

“Për disa kanë dhënë banesa. Këtu mbetëm vetëm 3-4 familje. A keni dorëzuar dokumente për banesë? Po, nuk më japin asgjë sepse jam vet. Ju refuzuan? Po, më refuzuan. Kur të prishet kjo, a keni ku të shkoni? S’kam ku të shkoj “-tha Sulejman Nuredin.

“I dhashë dokumentet që na i kërkuan për banesë. I dorëzuam dhe në fund na refuzuan. Përse? Sepse më është ndërprerë ndihma sociale. Nuk kemi ku të shkojmë. Le të më strehojnë diku dhe pastaj le ta prishin”-pohoi Atixhe Demir, banore.

“Le të më gjejnë një banesë dhe do të shpërngulem. Dhëntë Zotë të bëjnë një mirësi të tillë në të gjithë Maqedoninë. Nëse më japin banesë, edhe fëmijët e mi dua të kenë të ardhme”-theksoi Firdis Isenovska, qytetare.

Barakat i prish Shoqata Aksionare për Ekonomizim me hapësirë banesore dhe afariste të rëndësishme për shtetin. Ngas atje thonë për Alsat se ndërtesa e re sociale do të ketë 312 banesa. Njerëzit që jetojnë këtu i kanë drejtuar tek Komisionit i Qeverisë për Çështje Banesore.

Ky komision ka marrë vendime të përkohshme për dhënien me qira të banesave për njerëzit që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Ligjin për Strehim. Synimi është që këta persona të aplikojnë më pas për të kërkuar banesë me qira në ndërtesën në këtë vend që pritet të jetë gati për dy vite”- thonë nga Shoqata Aksionare për Ekonomizim me hapësirë banesore dhe afariste.

Personat që nuk kanë marrë banesë, zgjidhje për veten e tyre do të duhet të kërkojnë tek Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.