Restoranti i tetovarit në Berlin jep ushqim falas për mjekët dhe inferimierët

Restoranti “Dolce Vita”, në Schwedt Oder të Gjermanisë, që menaxhohet nga Bedri Idrizi nga Sllatina e Tetovës, ka shpërndarë ushqim falas për 12 reparte të spitalit të qytetit, për njësitë zjarrfikëse, ndihmën e shpejtë dhe njësitë tjera të ambulancës, në shenjë solidarizimi me përpjekjet humane të atyre që bëjnë gjithçka për ta ndihmuar popullatën në kohën e pandemisë së virusit korona.

Solidarizimi i restorantit “Dolce Vita” ka zgjuar respektin e autoriteteve komunale, të shërbimeve mjekësore dhe të banorëve të Schwedt Oder, një qytezë industriale në Gjermani me 30 mijë banorë.

Ata e kanë falënderuar publikisht stafin e restorantit dhe i kanë shprehur mirënjohjen nëpërmjet rrjeteve sociale.
Restoranti u ka dalë në ndihmë edhe pleqve, duke u dërguar ushqim dhe ilaçe në shtëpi pa asnjë fitim.

Stafi i restorantit ka shpërndarë një afishe ku u bën thirrje pleqve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, të mos e rrezikojnë shëndetin, ndërkohë që ilaçet dhe ushqimi atyre u dërgohet nga ekipi i restorantit deri në shtëpi dhe pa asnjë fitim.

“Të dashur gjyshe e gjyshër ju rini në shtëpi dhe na dërgoni porositë për barna e ushqim, kurse ne ua blejmë dhe ua sjellim në shtëpi”, thuhet në afishen e shpërndarë.
Menaxheri i restorantit Bedri Idrizi njihet edhe për nisma të tjera humanitare jo vetëm për vendësit, por edhe për komunitetin gjerman.

Loading...