Regjistrimi, mbi 160 000 të regjistruar nga diaspora

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave deri tani janë regjistruar 160 519 mërgimtarë që jetojnë jashtë vendit. Përmes aplikacioni regjistrohen shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët jetojnë jashtë vendit, për shkak të punës apo shkaqeve të tjera, më gjatë se 12 muaj. Procesi i vetëregjistrimit filloi 1 mars, ndërsa do të zhvillohet deri më 21 prill 2021.

Prej 1 marsit deri më 15 mars u regjistruan edhe të punësuarit në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe anëtarët e familjeve të tyre të cilët qëndrojnë me ta jashtë vendit, shtetasit e Maqedonisë së Veriut me punë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj, përfaqësitë apo përfaqësues të odave ekonomike jashtë vendit, njësitë afariste jashtë vendit, përfaqësitë ushtarake të Armatës së RMV-së jashtë vendit dhe qytetarët që janë të angazhuar në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, teknik apo tjetër, si dhe anëtarët e familjeve/amvisërive të tyre që qëndrojnë jashtë vendit me personat e cekur si dhe të gjithë personat – shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët në çfarëdo baze qëndrojnë jashtë shtetit, pa marrë parasysh periudhën e tyre të qëndrimit.

Ndërsa regjistrimi i popullatës në vend do të fillojë prej 1 deri më 21 prill 2021. Enti Shtetëror i Statistikave publikoi edhe një konkurs të tretë plotësues për angazhimin e personave të cilët do të marrin pjesë në zbatimin e Regjistrimit të popullatës, amvisërive dhe banesave në RMV, për të cilin kandidatët e interesuar duhet të paraqiten deri më 20 mars 2021.