Refuzohet kërkesa për heqjen e masës së kujdesit për Jordan Kamçevin

Gjykatësi i procedurës paraprake e refuzoi si të pabazë propozimin e Jordan Kamçevit për heqjen e masës së kujdesit.

“Deri tek gjykatësi i procedurës paraprake, i cili vepron për propozimin e J.K. nga Shkupi për pezullimin e masës së kujdesit, prej prokurorit publik kompetent është dorëzuar mendim negativ lidhur me propozimin. Duke e vlerësuar mendimin dhe të gjitha faktet dhe argumentet në propozim gjykatësi më 05.12.2019 solli vendim me të cilin: Propozimi i personit të dyshuar J.K. nga Shkupi për pezullimin e masës së kujdesit – marrjen e përkohshme të dokumenteve të udhëtimit apo dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror, gjegjësisht ndalimin e lëshimit të tij, të caktuar me vendimin e Gjykatës së Apelit Shkup prej 27.12.2018, me propozimin për caktimin e garancisë me vendosjen e të drejtës për hipotekë mbi pronën e patundshme është refuzuar si i pabazë”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore Penale Shkup.

Kundër këtij vendimi, siç është theksuar në kumtesë, palët kanë të drejtë ankimimi në Këshillin penal të kësaj gjykate në afat prej tre ditësh pas pranimit të vendimit.