Raporti javor i ISHP: Ulet numri i rasteve të reja dhe viktimave nga Covid-19, rritet numri i të shëruarve

Ministria e Shëndetësisë informon se Instituti për Shëndet Publik sot ka publikuar raportin javor që tregon gjendjen epidemiologjike të korona virusit në vend.

Sipas raportit, në periudhën nga 20-26 korrik 2020, vërehet ulje e numrit të rasteve të reja me Covid-19 dhe ulje në numrin e viktimave ndërsa tregon rritje të numrit të të shëruarve nga koronavirusi në krahasim e javën e kaluar.

-Në periudhën e përmendur janë bërë 9563 teste (1402 më shumë teste se në periudhën 13-19 korrik) dhe janë regjistruar 956 raste pozitive të koronavirusit që është 82 raste më pak se javën e kaluar, – thuhet në raportin e ISHP.

Raste të reja janë regjistruar në 29 qytete. Më së shumti raste ka në kryeqytet në Shkup ndërsa sipas raportit ka një ulje të vogël në krahasim me javën e kaluar. Edhe në qytetin e Shtipit ka ulje të vogël në numrin e rasteve te reja. Sa i përket 17 qyteteve tjera për periudhën e njëjtë numri i rasteve të reja është nën 20.

Për sa i përket strukturës së moshës të të infektuarve të ri në këtë periudhë përqindja më e madhe e të infektuarve janë të moshës 50-59, numër i madh i të infektuarve është regjistruar edhe tek persona nga 40-49 vjeçare dhe mbi 60 vjeçe. Numër më i vogël të rasteve të reja ka tek fëmijët prej 0-9 vjet dhe prej 10-19 vjet.

Në periudhën nga 20-26 korrik janë regjistruar 654 pacientë të shëruar të cilët kanë qenë të hospitalizuar ose në mjekim shtëpiak. Raporti tregon se 109 persona më shumë janë regjistruar në krahasim me javën e kaluar.

Gjatë periudhës së njëjtë janë regjistruar 32 viktima që është 12 raste më pak se javën e kaluar. Numri më i madh i rasteve janë persona të moshës mbi 60 vjeç./TV21