QUINT për qeverinë e re: Rend, ligj, reforma dhe marrëdhënie të mira fqinjësore

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti me një ceremoni zyrtare mori detyrën e kreut të qeverisë. Pranim dorëzimi i detyrës u bë nga Behxet Pacolli, zëvendëskryeministër i parë i qeverisë së shkuar të Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit nuk gjendet në Kosovë e ndodhet për një vizitë të planifikuar më herët në SHBA.

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara QUINT, e përshëndetën formimin e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurti, duke kërkuar nga ai forcim të rendit dhe ligjit, zhvillim ekonomik dhe marrëdhënie të mira të Kosovës me fqinjët.

Rrugë e vështirë përpara

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, shkroi të twitter se të gjithë kanë pritur shumë për këtë moment. “Qeveria e re Kosovës tashmë është këtu. Urime vendit dhe qytetarëve të Kosovës pas një pritjeje të gjatë. Ne jemi këtu për të mbështetur qëllimet e përbashkëta. Kryeministrit të ri dhe kabinetit të tij i dëshiroj forcë dhe guxim”, shkroi ambasadori gjerman Heldt. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett e përgëzoi Kosovën për formimin e qeverisë. “Mezi pres të punoj me të gjitha institucionet e Kosovës, partitë e tjera dhe palët e interesuara të shoqërisë civile për të forcuar drejtësinë dhe përparimin dhe për të ndihmuar Kosovën të vendosë marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj”, shkroi në twitter Kosnett.

Edhe ambasadori britanik Nicholas Abbot, përgëzoi qeverinë e re dhe kryeministrin Albin Kurti. “Ka një rrugë të vështirë përpara për administratën në ardhje dhe çështjet urgjente duhet të trajtohen, përfshirë buxhetin e shtetit për vitin 2020, vendimet e bllokuara administrative dhe sundimin e ligjit. Më 6 tetor, qytetarët e Kosovës votuan për ndryshim. Qeveria e re duhet të tregojë guxim dhe kreativitet në zbatimin e dëshirave të elektoratit dhe shpresat e të gjithë qytetarëve”, shkroi ambasadori britanik Nicholas Abbot.

Thaçi: Mirëpres qeverinë e re

Nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur krijimin e qeverisë së Kosovës, duke e ftuar siç thotë “që të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara, të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore” shkroi Presidenti Thaçi.

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, shkroi se “Votimi i Qeverisë së re nga ana e Parlamentit të Kosovës është lajm i mirë për gjithë qytetarët e Kosovës. Uroj që ky konstalacion politik të arrij t’i çoj përpara proceset e rëndësishme për vendin”, shkroi Ramush Haradinaj.

Borrell: Detyrim i palëve për dialogun

Formimin e qeverisë së re të Kosovës me kryeministër Albin Kurtin e përshëndeti edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell, i cili të premten e shkuar ishte për vizitë në Kosovë. Borrell përmes një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, i rikujton Kurtit dialogun me Serbinë, dhe siç shprehet “detyrimin që kanë palët për dialogun e normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës-Serbisë, si edhe nevojën e vazhdimit sa më të shpejtë të këtij procesi”. “Status-quoja aktuale është e padurueshme. Nuk ka asnjë alternativë për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. BE-ja kërkon fuqizim të bashkëpunimit rajonal dhe një angazhim të Kosovës në iniciativat rajonale, të cilat janë në dobi të Kosovës”, thuhet në deklaratën e Joseph Borrell. Sipas tij, BE-ja do ta ndihmojë Kosovën.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Kosovën sa i përket agjendës evropiane të reformave si dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë në forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë, përmirësimin e administratës publike dhe krijimin e vendeve të punës “, thuhet në deklaratën e shefit të diplomacisë evropiane Joseph Borrell./DW