Qeveria teknike, takime të ndara mes liderëve të tre partive

Dy takime të ndara mes liderëve të tre partive më të mëdha do të zhvillohen sonte në prag të formimit të Qeverisë teknike. Fillimisht në ora 16:00 kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski takon kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, në Kuvend, me të cilin do të bisedojnë rreth formimit të Qeverisë teknike. Për të njëjtën temë, një orë më vonë Mickoski do të takojë kryeministrin aktual Zoran Zaev, në ambientet e Qeverisë. Mickoski dhe Zaev do të bisedojnë për emërimet e funksionarëve në Qeverinë teknike, kryeministrin teknik, dy ministrat teknik dhe 5 zëvendës ministra teknik. Para Mickoskit, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev do të prezentojë funksionarët e kësaj partie të cilët do të emërohen në Qevernë teknike. Po ashtu gjatë takimit Zaev –Mickovski pritettë diskutohet edhe për ndryshimet e modelit zgjedhor, nga gjashtë njësi në një njësi zgjedhore.

Mbrëmë, Komiteti Qendror dhe Ekzekutiv i LSDM-së vendosI që ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski të jetë kryeministër në qeverinë teknike nga 3 janari i vitit 2020 deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të prillit. Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska do të jetë zëvendëskryeministre për Çështje Ekonomike, në vend të Koço Angjushevit. Zgjedhjen e kryeministrit teknik zyrtarisht e kumtoi kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev. U zgjodhën edhe dy zëvendësministra shtesë në qeverinë teknike: për MPB – Sllavjanka Petrovska, shefe e deritanishme e kabinetit të ministrit Spasovski, ndërsa në MPPS – Sanella Shkrijel, shefe e deritanishme në kabinetin e Carovskës. Zaevi tha se vendimet për katër zgjidhjet kadrovike ishin njëzëri në mbledhjet e dy bordeve partiake. Gjithashtu LSDM ka zgjedhur Bojan Mariçiqin sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar, pasi sekretari i deritanishëm Dane Talevski është nominuar për ambasador në NATO. Zaev tha se në mbledhjen e sontme të Këshillit Ekzekutiv kanë shqyrtuar edhe zhvillimet e fundit me partnerin e koalicionit për çka nënkryetarët kanë raportuar se grupi parlamentar i BDI-së kanë dhënë sqarime. Kryetari i LSDM-së ka përsëritur se deri në shpërbërjen e Kuvendit do të insistojë në modelin me një njësi zgjedhore. Zaev shtoi se do të japë dorëheqje më 3 Janar dhe se zgjedhjet do të mbahen në afatin e parashikuar.

Nga ana tjetër Mickoski në takimin e sontëm do të duhet të prezentojë emrat e dy ministrave teknik, atë të punëve të brendshme dhe ministrin për punë dhe politikë sociale, si dhe tre zëvendës ministra në ministrinë për financa, bujqësi dhe atë të informatikës dhe administratës publike./SHENJA/