Qeveria nuk diskutoi heqjen e testit PCR si kusht për kalimin e kufijve

Qeveria nuk diskutoi sot për hapjen e kufijve pa test PCR negativ me vendet e rajonit. Burime nga mbledhja e Qeverisë bënë të ditur se në rend dite nuk ishte propozuar rekomandimi i Komisionit për Sëmundje Infektive për heqjen e testit PCR. Shtabi Krizës ndërkaq nuk ka marr vendim përfundimtar për të.

Në ndërkohë mësohet se negociatat mes grupit të punës nën udhëheqjen e përfaqësuesit të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup janë në drejtimin e duhur. Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi janë pajtuar për heqjen e testit njëkohësisht, ndërsa gjatë javës pritet qëndrimi përfundimtar i Qeverive në Bosnjë dhe në Serbi. Kosova, sipas analizave rajonale gjendet në stadin më të qëndrueshëm mbi kontrollin e pandemisë. Autoritetet kosovare kanë potencuar se pasqyra epidemiologjike e vendit lejon heqjen e testit PCR negativ, por sipas burimeve të Alsat, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë pret dritën jeshile nga të gjitha vendet e rajonit. Javën që lamë pas në Serbi dhe Bosnjë pasqyra epidemiologjike ka treguar përkeqësim të situatës, por sipas autoriteteve nuk ka vatra të pakontrolluara.

Në rast se dështon përpjekja për heqjen e testeve PCR negativ me vendim të përbashkët, autoritetet vendase paralajmërojnë marrëveshje bilaterale me Kosovën dhe Serbinë, ndërsa më pas negociata të ndara do të zhvillohen edhe me Greqinë dhe Bullgarinë si vende anëtare të BE-së.

Çështja e hapjes së kufijve pa nevojën për PCR test negativ u aktualizua dy javët e fundit, kryesisht pas kërkesës së Odave Ekonomike nga vendet e rajonit të cilat kanë adresuar disa herë shqetësimet e tyre mbi humbjet e mëdha ekonomike si pasojë e kësaj mase e cila ka penguar shkëmbimin e mallrave dhe lëvizjen e lirë. Aktualisht vetëm Shqipëria nuk kërkon test negativ për transit apo lëvizje të lirë brenda shtetit shqiptar.