Qeveria më pasive deri më tani, nuk ka lidhur asnjë marrëveshje tregtare me asnjë vend Evropian

Pas analizës së të dhënave të marra nga Ministria e Ekonomisë, Qeveria e udhëhequr nga Zoran Zaev, ka qenë më e keqja në bashkëpunim dhe nënshkrim të marrëveshjeve tregtare me vendet e tjera evropiane.

“Në periudhën nga maji 2017 deri në janar 2020, përkatësisht për 2,5 vjet nga Qeveria e Zoran Zaevit nuk është lidhur asnjë marrëveshje tregtare. Për dallim prej kësaj, në periudhë prej nëntorit të vitit 2014 deri në prill 2018, përkatësisht për 2,5 vjet nga Qeveria e Nikolla Gruevskit janë lidhur 6 marrëveshje me Izrael, Danimarkë, Serbi, Emiratet e Bashkuara, Arabi Saudite dhe Vietnam”, Jovica Paunoski, gazetar.

Sipas hulumtimeve, rezultatet e Qeverisë aktuale të LSDM-së, janë më të këqija që nga pavarësimi i Maqedonisë. Rezultate më të mira kemi pasur në dy e gjysmë vitet e para nga pavarësimi i shtetit.

“Në periudhën nga janari 1991 – qershor 1993, kreu i atëhershëm shtetëror ka arritur të nënshkruaj 2 marrëveshje tregtare, një me Slloveni në shkurt të vitit 1992 dhe një me Rusi në maj të vitit 1993”, Jovica Paunoski, gazetar.

E pyetëm edhe ministrin e Ekonomisë për gjendjen e tillë, por ai u përgjigj se Qeveria e Zaevit ka shkuar, kurse tani po bisedohet për marrëveshje të reja tregtare.

“Është shumë e rëndësishme që Qeveria e ardhshme të mos i përsërisë gabimet e qeverisë aktuale dhe të punojë që të lidhë marrëveshje të reja me vendet e Evropës dhe botës. Në këtë mënyrë do të sigurojmë kërkesë më të madhe për prodhimet maqedonase në vendet e huaja, prodhime më të lira nga vendet e huaja në Maqedoni dhe më shumë investime në vendin tonë”, tha Filip Ivanovski.

“Në përgjithësi, më shumë marrëveshje tregtare janë nënshkruar në kohën e Qeverisë së kaluar të VMRO-DPMNE-së, respektivisht në periudhën prej 2006 e deri më 2017-tën, kur pushteti i atëhershëm ka lidhur bile 45 marrëveshje të tilla. Rezultate më të mira ka qeveria e Lupço Georgievski, i cili në periudhën 1998-2002, mesatarisht ka lidhur nga 8 marrëveshje tregtare në vit, që i bie më shumë se çdo qeveri tjetër deri më tani”, Jovica Paunoski, gazetar.

Marrëveshja tregtare është marrëveshje që e avancon tregtinë mes dy apo më shumë vendeve, respektivisht e lehtëson shkëmbimin ndërkombëtar të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Praktika njeh më shumë lloje të marrëveshjeve tregtare, bile pothuajse nuk ka asnjë vend në botë i cili nuk ka lidhur marrëveshje të tilla.

Maqedonia ka tregti të lirë me anëtarësimin në CEFTA, respektivisht mes Bosnjë dhe Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe Moldavisë. Lehtësimi i tregtisë planifikohet edhe me të ashtuquajturin “Shengen i Vogël”.