Qeveria e shpëtoi Dimitrovin nga karantina: “Shtrëngimi i duarve, pjesë e diplomacisë”

Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, mund të marrë frymë lirshëm. Qeveria ka vendosur të mos e dërgojë në izolim, megjithëse gjatë një vizite pune në Nish pardje, ai shkeli protokollin për parandalimin e koronavirusit dhe shtrëngoi dorën me disa prej mikpritësve. Ne e pyetëm Qeverinë, nëse do të kishte ndonjë sanksion për shkeljen e dukshme të protokolleve. Ata u përgjigjën – jo, megjithëse në protokollin për udhëtime të zyrtarëve të caktuar është theksuar se “Ndalohet shtrëngimi i duarve”. Por, qeveria ka këtë qëndrim:

“Dhënia e dorës dhe përshëndetja me dorë, me peshën e tyre simbolike, janë komponent i rëndësishëm dhe pjesë e pandarë e komunikimit diplomatik”, thonë nga Qeveria.

Por, ministri Dimitrov para se të niset në Serbi, ka firmosur deklaratë me shkrim se do t’i respektojë deri në fund protokollet.

“Nga MPJ konfirmojnë se ministri Nikolla Dimitrov është përshëndetur me dorë në Nish. Megjithatë, shpjegimi i tyre është se shpesh i kanë dezinfektuar duart. Me këtë qëndrim e relativizojnë protokollin dhe rregullat e brendshme se ndalohet dhënia e dorës zyrtarëve, që do ta lëshojnë vendin për udhëtim zyrtar”.

Ndonëse protokolli shëndetësor obligon të mbahen edhe maska në hapësira të mbyllura dhe të mbahet distanca e nevojshme, shefi i diplomacisë u vërejt se në disa takime nuk mbante maskë, e as nuk mbante distancën e duhur nga njerëzit përreth tij.

Vendimi i qeverisë që zyrtarët e emëruar të mos shkojnë në karantinë të detyrueshme 14-ditore, i miratuar një muaj më parë, një pjesë e opinionit e priti me revoltë. Sqarimi i Qeverisë ishte se nuk ka nevojë për zemërim sepse ata që do të udhëtojnë do ta respektojnë protokollin.