Punëtorët shëndetësorë kërkojnë rritje të pagave për 10%!

Punëtorët shëndetësorë pranë Qendrës Klinike e kërkojnë rritjen e premtuar prej 10% në nivel vjetor, që i bie 40% për tërë mandatin e LSDM-së, si dhe rrogën prej 600 eurove për infermieret që ishte premtuar nga kandidati i BDI-së për kryeministër, Naser Zyberi. Këto premtime, sipas kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Qendrës Klinike, Goran Begoviq kanë ndikuar edhe mbi rezultatin zgjedhor. Në qoftë se nuk realizohen, punëtorët shëndetësorë do ta humbin besimin në këtë Qeveri, thotë ai, duke shtuar se ndihen të diskriminuar shkaku i mospagimit të K-15, edhe pse kanë punuar gjatë pandemisë.

“Vota e të punësuarve tanë në shëndetësi që janë rreth 30.000 nuk mund të injorohet, të nënvlerësohet dhe është koha e fundit ta përmbushin këtë premtim nëse presin ta kenë votën e punëtorëve shëndetësorë në zgjedhjet e ardhshme”, tha Begoviq.

Në qoftë se nuk plotësohen kërkesat e tyre, paralajmërojnë se do të dalin në protestë.

“Atë që e bënë ata ishte vetëm një shtesë në rrogat prej 20%, edhe atë vetëm për të punësuarit në covid-qendrat dhe me këtë shkaktuan ndarje dhe i diskriminuan punëtorët”, tha më tej ai.

Ministri Filipçe thotë se do t’i plotësojnë premtimet dhe se deri në fund të këtij muajit do të paguhen pagesat e mbetura për muajin mars, prill dhe maj. Ndërsa nga qershori do të vlejë rritja prej 5% për të gjithë punëtorët shëndetësorë pa marrë parasysh nëse ata punojnë ose jo në Kovid qendrat.

“Më duhet të them se punëtorët shëndetësorë në periudhën që lamë pas kanë treguar gatishmëri dhe nivel të lartë të profesionalitetit, rritjen e meritojnë dhe andaj dy herë ua rrisim pagat dhe përsëri do t’i rrisim. Diku rreth Vitit të Ri ata që punonin me Kovid pacientë morën rritje të rogave deri në 30 mijë denarë”, deklaroi Filipçe.

Begoviq thotë se Ministria e Shëndetësisë planifikon t’u japë shtesën e kufizuar vetëm për 9 muaj edhe atë për 5% me fonde nga Banka Botërore. Kjo, sipas Begoviq-it nuk është rritje e pagës, sepse, siç thotë, rritja duhet të vijë nga Buxheti dhe të jetë sipas marrëveshjes kolektive, e jo nga një hua. Nga kjo Sindikatë presin premtimet që i kanë marrë të realizohen deri në shtator para fillimit të fushatës derisa Qeveria ka kohë dhe të drejtë t’i realizojë.