“Punëtorët detyrohen të nënshkruajnë kontrata për largim nga puna”

Kriza shëndetësore po shndërrohet në krizë të tregut të punës- ankohen sindikalistët. Çdo ditë në Lidhjen e Sindikatave arrijnë ankesa nga punëtorët të cilët detyrohen të nënshkruajnë kontrata për largim nga puna nga punëdhënësit e tyre. Nga kjo Lidhje thonë se nuk do ta lejojnë këtë veprim të pandershëm të pronarëve. Ligji për Marrëdhënie Pune dhe kontratat kolektive duhet të respektohen edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme.

Lidhur me nënshkrimet në letër të bardhë që disa punëdhënës i imponojnë, do të kisha thënë që kjo nuk është procedura e duhur dhe kjo procedurë lehtë dëshmohet sepse ligji e thotë këtë: nëse punëtori është nënshkruar aty duhet të jetë data kur është nënshkruar, vendi, emri dhe mbiemri i tij i plotë si dhe nënshkrimi i tij. Kjo lehtë dëshmohet me ekspertizë grafologjike. Punëdhënësit e pandërgjegjshëm nuk do të punojnë kokë më vete”-tha Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së sindikatave.

Ekspertët nga fusha e të drejtës së punës thonë që ekziston mundësi që një pjesë apo të gjithë punëtorët të dërgohen për pushim të detyruar. Por, në këtë rast, paga do të jetë 70% nga shuma e plotë. Ose punëtorët mund të lëshohen në shtëpi për shkak të fatkeqësisë elementare dhe në këtë rast punëdhënësi obligohet të paguajë 50% nga paga e punëtorit. Për momentin më e rëndësishme është që mos të ketë manipulim me vendet e punës. Profesori Llazar Jovevski shprehet që është e domosdoshme të ketë një asistencë financiare që të ndihmohen kompanitë dhe të ruhen vendet e punës.

Tani duhet të mendojmë për muajt e ardhshëm. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme çfarë hapa ndërmarrin punëtorët dhe punëdhënësit. Duhet të jenë hapa ligjore, të mos merren vendime të përshpejtuara, që të mbrohen edhe punëdhënësit edhe punëtorët t’i realizojnë të drejtat e tyre. Është shumë e vështirë në këtë periudhë dikush të mbetet pa punë dhe sidomos që kjo të bëhet në mënyrë joligjore”-pohoi Llazar Jovevski, profesor universitar.

Sindikalistët apelojnë për punëtorët që mos të nënshkruajnë kurrfarë kontrata largimi sepse në këtë mënyrë nuk do të mund të shfrytëzojnë asnjë masë qeveritare. Nga kjo Sindikatë bëjnë statistika dhe analizë se ku bëhen shkeljet e të drejtave të punëtorëve dhe thonë se së shpejti do të dalin dhe do ta njoftojnë opinionin për të gjitha parregullsitë e punëdhënësve në këtë kohë krize.