Protestuesit e bllokuan autostradën Shkup-Tetovë

Protestat e paralajmëruara nga qytetarët kundër rritjes së çmimit të rrymës elektrike, përmes një marshi me vetura kanë bllokuar autostradën që lidh qytetin e Shkupit dhe Tetovës, transmeton Portalb.mk.

“Në vazhdën e aktiviteteve kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, nëpërkëmbjes dhe zhvatjes që na bëhet nga EVN, MEPSO, ELEM dhe KRRE, njoftohen të gjithë qytetarët shqiptarë, që Iniciativa Qytetare BOLL MË nga ora 16:00 e deri në ora 17:00 do ta bllokoj (bllokadë me vetura) autostradën Shkup-Tetovë (nga pika pagesore e Zhelinës deri në pikën e parë pagesore për në Gostivar)”, njoftuan nga organizata “Boll më”, duke sqaruar se qëllimi i protestestës është alarmimi dhe zgjidhja e problemit.

Javën e kaluar, Iniciativa qytetarë “Boll më”, ka vazhduar me aktivitete në frymën e revoltës kundër faturave të larta të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut. Sot kjo iniciativë qytetare, nëpërmjet një aktiviteti ironizues të realizuar në para selisë qendrore të EVN-së në Shkup, i sollën një “donacion”, prej 28 milionë euro për t’ua paguar rrogën e 13-të udhëheqësve të kompanive EVN, Elem dhe Mepso.

Më 18 dhjetor, hapën në Tetovë zyrë e cila ofron ndihmë juridike falas nga persona përkatës të kësaj fushe, për të gjithë qytetarët të cilët konsiderojnë se janë dëmtuar nga kompania EVN dhe KRRE.

Nga iniciativa “Boll Më” deri tani kanë shprehur revoltën e tyre në forma të ndryshme, edhe atë duke protestuar në qendër të qytetit të Tetovës, para EVN-së, duke bllokuar rrugë të ndryshme.

Me datë 4 dhjetor, ata i dhuruan filialit të EVN-së në Tetovë trofeun “Hajni i artë”. Me këtë, siç thonë aktivistët që që kërkojnë ulje të çmimit të rrymës në RMV, dëshirojnë të “shpërblejnë” këtë kompani për të gjitha të arriturat gjatë funksionimit të saj. Në ndërkohë, vazhdojnë punët për propozim ligjin e iniciativës.

Kërkesat e tyre i mbushin 4 muaj e gjysmë, çdo javë nga 1 protestë, asnjë reagim nga kompetentët!