Protestat në Bejrut, 110 persona të lënduar

Protestat në Bejrut kanë vazhduar edhe para konferencës së donatorëve për të ndihmuar Libanin pas shpërthimit katastrofal të ditëve të fundit. Siç njoftojnë mediat, protestat e fundit në të cilat kanë marrë pjesë mbi 7 000 protestues kanë qenë të dhunshme. Janë regjistruar të paktën 110 persona të plagosur, ndërsa pas përplasjes së policisë me protestuesit, jetën e ka humbur një polic.

Në pamjet e publikuara nga mediat e huaja, shihen çaste të përleshjes së ashpër mes protestuesve dhe policisë, të cilët kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Por nuk kanë arritur të ndalojnë një pjesë të qytetarëve për të hyrë në godinën e Ministrisë së Punëve të jashtme.

Protestuesit thonë se nuk do të dorëzohen derisa në Liban të ketë ndryshim.

“Kanë kaluar shumë vite, kjo ka vazhduar me vite, dhe ata nuk po e marrin mesazhin. Ne jemi këtu pasi po synojmë një ndryshim dhe e shohim atë se po vjen, ne do të vazhdojmë të luftojmë, edhe nëse do duhet shumë, do të vazhdojmë të luftojmë”.

Pas eskalimit të situatës në Bejrut, kryeministri libanez Hassan Duiab tha se qytetarët kanë të drejtë të jenë të zemëruar. Ai tha se korrupsioni në vendin e tij është problem prej tre dekada më parë. Shtoi se zgjedhjet e parakohshme janë mundësi për dalje nga kriza.

Në realitet nuk ka dalje nga kjo krizë strukturore pa zgjedhje të parakohshme, me qëllim të prodhimit të një strukture të re politike dhe të një parlamenti të ri. Ne jemi në një emergjencë, jo vetëm për shkak të katastrofës dhe mënyrës së si ballafaqohemi me të por emergjenca për të cilën flas është e lidhur me fatin e shtetit dhe të ardhmen”-tha Hasan Diab, kryeministër i Libanit.

Shpërthimi shkaktoi vdekjen e së paku 158 qytetarëve, ndërsa mbi 6000 mbetën të plagosur dhe 20 figurojnë si të humbur. Ditë më parë autoritetet në Liban arrestuan 16 persona të cilët janë pjesë e udhëheqësisë së portit të Bejrutit. Konferenca e donatorëve u iniciuar nga Franca dhe Kombet e Bashkuara, pas konstatimit të autoriteteve se shpërthimi në magazinën ku ruhej sasi e madhe e nitrat amonit, ka shkaktuar rreth 15 miliard dollarë humbje.