Propozim-gjoba prej 2.000 euro kundër 14 personave për mosrespektim të orës policore në Shkup

Prokuroria Themelore Publike Shkup sot te gjykata dorëzoi propozime për dhënie të dënimeve nga 2.000 euro kundër gjithsej 14 personave për mosrespektim të orës policore në Shkup.

“Të akuzuarit, në ngjarje të veçanta juridike-penale, nuk e kanë respektuar Vendimin për ndalesë dhe regjim të veçantë të lëvizjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë orës policore ata pa leje kanë lëvizur në lokacione të ndryshme në qytet”, qëndron në kumtesën e PTHP-së.

Prokurorët publik kompetent për të gjithë të akuzuarit propozuan dënime në para prej nga 100 gjoba ditore me ç’rast vlera e një gjobe ditore të përcaktohet 20 euro në kundërvlerë të denarit.

Personat janë akuzuar për vepër penale – Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë sipas nenit 206 paragrafi 1 i Kodit Penal.