Profesori amerikan: Administrata e Trumpit ka bë hapa për ndryshimin e kufijve të Kosovës pa konsultuar BE-në

Bashkimi Evropian, ndërmjetësuesi kryesor i dialogut Kosovë – Serbi, vazhdon të shfaqë ndarjet brenda bllokut për dhe kundër ndryshimit të kufijve, duke dhënë sinjale se në planin e vet për rifillim të dialogut ka gjasa të mos përjashtohet opsioni i ridizajnimit të kufijve.

Arta Berisha & Serbeze Haxhiaj

Pavarësisht pandemisë dhe jostabilitetit politik në Prishtinë pas rënies së qeverisë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëjnë përpjekje t’i japin një impuls të ri dialogut të bllokuar në mes të Kosovës e Serbisë.

Pas emërimit të ndërmjetësuesit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kryediplomati evropian, Joseph Borrell, dhe i dërguari presidencial amerikan për dialogun Serbi – Kosovë, Richard Grennell, kanë ka thënë se po punohet “pa ndërprerë” për rifillimin e dialogut.

“BE-ja dëshiron që kjo status quo rreth dialogut të marrë fund sa më shpejt”, i ka thënë “Zërit” Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell.

Por, ngutia për të krijuar një qeveri të re që heq taksën ndaj Serbisë dhe nis një dialog “pa kushte” ka injektuar një dozë dyshimesh e spekulimesh për një marrëveshje të dizajnuar pas dyerve të mbyllura, që përfshin ndryshim kufijsh.

Idetë për shkëmbim territoresh në vitet e fundit janë bërë një prej çështjeve më kontroverse dhe më të debatueshme të këtij dialogu.

Megjithatë, perspektiva e rifillimit të dialogut dhe një marrëveshje këtë vit po bëhet gjithnjë e më e mjegullt. Gjykata Kushtetuese në Kosovë pritet të vendosë nëse mund të formohet ose jo një qeveri e re pas një mocioni mosbesimi. Zgjedhjet në Serbi janë në qershor dhe gjasat për rifillim të dialogut para vjeshtës në kohën kur ende kërcënon pandemia po shihen si tejet të vogla.

Gëzim Visoka, profesor i studimeve të paqes dhe konfliktit në Universitetin e Dublinit në Irlandë, thotë se nuk ka sinjale se dialogu mund të fillojë aq shpejt. “Në fund të vitit mund të pritet një përpjekje diplomatike nga BE-ja dhe nga SHBA-ja për të rivlerësuar pozicionet politike dhe për gjetur një udhërrëfyes reciprokisht të pranueshëm për fillimin e dialogut”, thotë Visoka për “Zërin”.

Taksa ndaj mallrave serbe, që u vendos në nëntor 2018 nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, “për të ndalur ndarjen e Kosovës nga presidenti Hashim Thaçi” dhe u bë qenësore në rënien e qeverisë së në kulmin e pandemisë, është shndërruar në një instrument politik në vend.

Presidenti Thaçi që më herët kishte folur për “korrigjim kufijsh”, në formën që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, tani po flet kundër ndryshimit të kufijve, duke thënë se me Serbinë do të negociohet “për njohje të Kosovës”, por pa qartësuar se çfarë përfshijnë “kompromiset” që ai përmend.

Rënia e qeverisë për shumë vrojtues të situatës u pa edhe si një përplasje mes BE-së dhe Uashingtonit rreth dialogut Kosovë – Serbi.

Kurti ka akuzuar ambasadorin Grenell se nuk është interesuar për substancën e marrëveshjes, por vetëm për një nënshkrim në fund të saj.

“Me ambasadorin Grenell jam pajtuar se duhet të kemi një marrëveshje me Serbinë. Por kur është fjala për përmbajtjen kishim dallime. Nuk e kisha menduar që këto dallime ishin aq të rëndësishme, por doli që të jenë shumë”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.

Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë menjëherë pas rënies së qeverisë në Prishtinë në mars tha se “nuk ka plan të fshehtë për shkëmbim territoresh, siç është spekuluar dhe i dërguari presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë e as diskutuar kurrë një plan të tillë”.

Uashingtoni në vazhdimësi ka bërë presion për heqjen e taksës, që ndikoi në bllokimin e dialogut, duke kërcënuar edhe me tërheqjen e trupave nga forca paqeruajtëse e NATO-s.

Victor Peskin, profesor në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohës i situatës në Ballkan, thotë se dizajnimi i një marrëveshjeje të zbatueshme vështirë se mund të bëhet shpejt.

“Megjithatë, duket se janë punuar disa nga detajet teknike të një plani, duke përfshirë edhe mënyrën për të realizuar shkëmbimin e territoreve në mënyra që zbutin ose parandalojnë mundësinë e dhunës dhe spastrimit etnik”, thotë Peskin për “Zërin”.

“Duket që administrata e Donald Trumpit ka bërë një hap në çështjen e ndryshimit të kufijve pa u konsultuar me BE-në”, shton ai.

Në një letër drejtuar sekretarit të shtetit Mike Pompeos në prill, kreu i Komitetit të Dhomës për Punë të Jashtme, Eliot Engel, dhe senatori Bob Menendez, anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, shprehën shqetësimin për “taktikat e dorës së rëndë të administratës ‘Trump’ mbi Kosovën, duke anashkaluar politikën efektive të Serbisë për të bindur shtetet që të mos e njohin Kosovën”.

Një pjesë e taksës ndaj mallrave serbe do të jetë në fuqi deri më 15 qershor, kur Qeveria e Kosovës do të rishikojë situatën dhe të vendosë nëse Serbia ka frenuar fushatën e saj diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës.

Në Serbi presidenti Aleksandar Vuçiq ka mohuar të ketë “negociuar ndonjë marrëveshje me presidentin e Kosovës për shkëmbim territoresh”.

Johanna Deimel, një analiste gjermane dhe anëtare e Bordit të Asociacionit të Evropës Juglindore, thotë se BE-së i duhet një strategji e qartë për dialogun.

“Ekzistojnë qëndrime të ndryshme brenda BE-së për ndryshim kufijsh. Edhe në administratën amerikane ka qëndrime të kundërta mes Richard Grenellit, Mathew Palmerit dhe Philip Reekerit për formatin dhe përmbajtjen e dialogut Kosovë – Serbi”, ka thënë Deimel për “Zërin”.

Në taborin evropian ndarjet dhe trashëgimia e dështimeve të BE-së vazhdojnë jehojën në dialogun Kosovë – Serbi, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi qëndrimin e bllokut.

Përderisa i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, ka thënë se ndarja “nuk është një opsion”, kryediplomati Borrelli nuk ka përjashtuar krejtësisht çështjen e ndryshimit të kufijve nëse Kosova e Serbia do të pajtoheshin për një gjë të tillë.

Borrelli u ka thënë medieve në Bruksel se “BE-ja nuk do të jetë më katolik se Papa” që t’u kërkojë të dyja vendeve të përjashtojnë mundësinë e një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh.

Megjithatë, Franca e Gjermania po përsërisin kundërshtitë ndaj ndryshmit të kufijve. “Refuzimi i qartë i kancelares gjermane Angela Merkel ndaj idesë për shkëmbim territoresh nuk do të ndryshojë. Parisi dhe Berlini janë ende të përkushtuar dhe ky është një lajm i rëndësishëm”, thotë Deimeli.

Në Kosovë, përveç unitetit politik, ende mungon një strategji për dialogun, në zemër të së cilës do të ishte platforma se çfarë kërkon e çfarë ofron Kosova dhe deri ku mund të negociohet në këtë dialog.

Vala e zemërimit u rrit së fundi pas shfaqjes së çështjes së amnistisë për krimet e luftës, si një prej elementëve që mund të përfshihen në marrëveshje, duke ringjallur kujtesën dhe përjetimet e mizorive të luftës për shumë shqiptarë në Kosovë.

“Ajo që po nxit këto reagime është fakti që në Kosovë nuk ka pasur diskutim të duhur politik dhe konsensus nacional në çështjet thelbësore që mund të përfshijë një marrëveshje e mundshme”, thotë Visoka.

Aktualisht i tërë spektri politik në Kosovë po flet kundër ndryshimit të kufijve, përderisa sondazhe të ndryshme tregojnë se shumica e popullsisë është kundër shkëmbimit të territoreve, si kusht për një paqe të qëndrueshme. “Ka indikacione që tani ndryshimi i kufijve të mos jetë më pjesë e një marrëveshjeje. Megjithatë, proceset negociuese janë shpesh të paparashikueshme”, thotë Visoka.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autoreve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, BIRN-it ose AGK- së.