Procesi zgjedhor do të ndikojë në vendimin e BE-së për hapjen e negociatave

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të kenë rëndësi të veçantë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian këtë pranverë, vlerësojnë njohësit e çështjeve të jashtme. Profesori universitar, Jusuf Zejneli thekson se programet e partive politike bashkë me cilësinë e kandidatëve në listat zgjedhore do të ndikojnë në epilogun e Samitit të Zagrebit në maj, përkatësisht nëse BE-ja do t’i jep ose jo vendit dritë jeshile për fillim të negociatave me BE-në.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat pritet të zhvillohen në vendin tonë sigurisht se do të kenë impakt, rëndësi të veçantë edhe në sferën e integrimeve, përkatësisht në mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe konkretisht edhe ndikim të veçantë në Samitin e radhës që pritet të zhvillohet në Zagreb. E gjithë kjo do të shfaqet së pari duke filluar nga cilësia e programit të cilin do ta hartojnë dhe promovojnë para qytetarëve partitë politike. Së dyti, do të shfaqet përmes përbërjes, strukturës së listës së kandidatëve për deputetë se sa ato do të jenë garantë në kuadër të cilësisë së tyre, sa do të dëshmojnë se ato mund ta zbatojnë të njëjtin program- tha Jusuf Zejneli, Profesor.

Sipas Zejnelit, është koha e fundit që partitë politike të hartojnë edhe metodologjitë e veçanta, me të cilat të parashikojnë me përpikëri zbatimin e programeve pas ardhjes eventuale në pushtet. Shton se është thelbësore që të gjitha partitë politike të angazhohen për shndërrimin e administratës publike në servis real dhe preofesional për qytetarët.

Mund të flasim tërë ditën apo gjithë fushatën parazgjedhore për reforma në sistemin gjyqësor, administrativ, krijimin e kuadrove profesionale, por në fakt në rast se nuk hartohet një metodologji e veçantë, e cila shpesh herë mungon, atëherë nuk do të ketë një shpresë reale edhe për sferën e integrimit-tha Jusuf Zejneli, Profesor.

Ndonëse vitin e kaluar, Franca kishte bllokuar hapjen e negociatave kryesisht për shkak të reformimit të metodologjisë së zgjerimit të BE-së, Brukseli ka inkurajuar Shkupin të vazhdojë me “detyrat e shtëpisë”. Krerët e institucioneve kryesore të BE-së, përfshirë edhe kryeministrin kroat, Plenkoviç vendi i të cilit kryeson me Unionin, janë zotuar se shtetet anëtare do të arrijnë kompromis për zgjerimin dhe se në Samitin e majit do të fillojnë negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë./Alsat