Pompeo viziton Izraelin, pavarësisht Covid-19

Kreu i diplomacisë amerikane, Mike Pompeo mbërriti sot në Izrael për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës ai do të takohet veçanërisht me kryeministrin, Benjamin Netanyahu për çështjen e Iranit dhe projektin e aneksimit të një pjese të Çisjordanisë së pushtuar.

Përveç kësaj çështjeje të ndjeshme, Pompeo do të diskutojë për Iranin, armiku numër një i shtetit hebre që dyshohet se ka rritur goditjet kundër pozicioneve iraniane në Sirinë fqinje këto javët e fundit.

Sekretari amerikan i Shtetit u shfaq sot në aeroportin “Ben Gourion” pranë Tel-Avivit dhe doli nga avioni me një maske shëndetësore blu, të bardhë dhe të kuqe, ngjyrat e flamurit amerikan, para se të nisej për në Jeruzalem ku do të takohet me kryeministrin, Benjamin Netanyahu dhe ish-rivalin e tij, Benny Gantz.

Si masë “parandaluese”, Pompeo nuk do të mund të takohet me ambasadorin amerikan, David Friedman, sespe ky i fundit ka shfaqur simptoma respiratore, edhe pse ka rezultuar negativ me COVID-19, theksoi një zëdhënës i ambasadës amerikane.