Politika e supermarketit dhe procesi zgjedhor në RMV

Arbër Çeliku

Zgjedhjet po afrohen dhe asgjë e re në horizont, pavarësisht trumbetimeve se do të vijë Harry Poterry dhe brenda natës do ta bëjë gjithçka mirë me shkopin e tij magjik.
Gjithkush me një arsye të shëndoshë e kupton se në këtë vend, ku është mbjellë dhe trasuar një mentalitet hazërxhinjsh dhe grabitqarësh, edhe gjatë kohë s’ka për të ndryshuar asgjë, aq më tepër kur në shprehje vjen gjithnjë e më shumë politika e supermarketit, me dominim të artikujve kinezë.
Në sytë e njerëzve, pavarësisht se ata më shumë qëndrojnë të nemur, vërehet një pesimizëm i madh, edhe përkundër faktit se partitë tashmë i “kanë ndezur motorët”. Ajo që më tmerron më shumë është se përsëri beteja do të zhvillohet mes militantëve të partive politike, kurse populli do të vazhdojë edhe më intensivisht të kërkojë shtigje për ta braktisur vendin.
Sado që të duam të jemi optimistë, kur i referohemi të shkuarës tonë të afërt, panorama sa vjen e errësohet dhe të pritet edhe buka, jo më ta zgjosh shpresën, të cilën as edhe në cepin e fundit të shpirtit nuk e gjen më.
Aq më e zymtë bëhet ajo, nëse bëjmë një retrospektivë të hollësishme të procesit politik në RMV.

I. Rrafshi i paradigmave zgjedhore

Dilema më e madhe për shumicën është se si është e mundur që ne shqiptarët në Parlamentin e RMV-së të përfaqësohemi me 1/6 pjesë, apo me rreth 20 deputetë nga 120, kur dihet botërisht se ne jemi, së paku, 40% në këtë shtet. Nëse nuk më besoni, e kam thënë publikisht, drejtohuni BFI-së, ata e dinë saktësisht këtë punë.
E vërtetë se kemi shumë njerëz jashtë dhe me “ligjet pozitive” evropiane, të sjellura nga VMRO-BDI, shumica e kanë humbur të drejtën e regjistrimit në listat zgjedhore nga mosinteresimi institucional (i qëllimtë) për t’i informuar dhe udhëzuar ata drejt dhe mirë.
Megjithatë, edhe popullata maqedonase, dekadën e fundit e ka braktisur me të madhe vendin. Vetëm në kohën e regjimit të Gruevskit, rreth 300 mijë maqedonas, sipas statistikave të klasifikuara (të ndërkombëtarëve), si pasojë e diferencimit, ia kanë mësy Perëndimit. Maqedonia Lindore tashmë është kthyer në vend fantazmash, kokërr njeriu nuk sheh rrugës, nëse të bie të udhëtosh atje.
Atëherë shtrohet pyetja si është e mundur që ata të kenë rreth 100 deputetë dhe ne as 20?!

II. Njësitë zgjedhore dhe (keq)menaxhimi me ta

Me këtë rast nuk dua të flas për modele zgjedhore amerikane, angleze, gjermane, francese dhe të tjera, sepse nuk ia vlen barra qeranë. Larg jemi ne që bëjmë politikë supermarketi. Qenësore është ta shtjellojmë dukurinë, e cila e gjeneron imazhin e përthyer zgjedhor dhe sa vjen e më shumë, na defaktorizon neve shqiptarëve politikisht dhe kombëtarisht.
Shqiptarët nuk kanë shtrirje horizontale zgjedhore në RMV, por e gjithë beteja politike po zhvillohet në njësinë 6. Për një deputet nevojiten mbi 10 mijë vota. Nga ana tjetër, maqedonasit e kanë siguruar shtrirjen horizontale zgjedhore dhe në Lindje të vendit ata edhe me 2 mijë vota nxjerrin deputetë.
Beteja në njësinë 6 nuk është vetëm politike, por për 2 dekada partitë tona i futën në vëllavrasje shqiptarët. Ende të freskëta i kemi imazhet kur bandat e dy taborreve BDI-PDSH ua kallnin datën njerëzve, duke u hyrë me kallashnikovë nëpër shtëpi dhe njësi zgjedhore (sado që sot na flasin për politika madhore). Vota duhej të ruhej me jetë, edhe pse nuk u arrit kurrë.

III. Votuesit fantomë dhe dominimi politik maqedonas

Është sekret publik, për të cilin edhe ndërkombëtarët janë në dijeni (por nuk bëzajnë), se në RMV ka mbi 200 mijë votues inekzistentë (të vdekur, të gjallë me 3,4,5 vendbanime, fantazma nga nëntoka, etj.), në mos edhe më shumë. Përderisa në zonën 6 ne është dashur me jetë ta mbrojmë votën tonë, në Maqedoninë Lindore janë bërë marrëveshje gjentëlmenësh mes VMRO-së dhe LSDM-së për mbushjen e kutive dhe ndarjen e votave inekzistente. Partive tona politike kurrë nuk u ka interesuar mbrojtja horizontale e votës, por vetëm ajo vertikale, për mbrojtjen e votës në zonat maqedonase as që mund të bëhet fjalë. Edhe mbrojtja me fanatizëm e modelit me 6 njësi zgjedhore këtë synim ka. Assesi nuk duan të dalin jashta orbitës së vet të ndikimit, por të krenohen kush do të mund t’i bëjë 10 deputetë dhe të bëhet vazali i partisë maqedonase, që do ta formojë qeverinë, me synimin që t’i rehatojnë militantët e vet dhe të bëjnë pak pasuri për veten. Çështja kombëtare, duke i shfrytëzuar me dredhi trendet globale, per ata tashmë është demodé.

IV. Lufta midis militantëve apo kush do t’i fitojë zgjedhjet kësaj radhe te blloku shqiptar?!

Punëdhënësi kryesor në Maqedoninë e Veriut është shteti. Sektori privat thuajse është inekzistent. Kjo e bën atë më të amortizuar, më burokratik dhe më parazitar dhe krijon një terren të shkëlqyer për nëntokën. Është më se e qartë se kush i kontrollon resurset shtetërore, ai do të jetë fitimtar, aq më tepër kur partitë sfiduese, nuk punojnë për sjelljen e risisë dhe kthimin e shpresës, por, me njerëz të konsumuar, duhet të luftojnë për mbijetesë politike.