Xhelal Ceka nuk është më drejtor i NPK Tetova. Sipas informatave të TV21, për shkak të disa parregullsive, gjatë ditës së djeshme në këtë ndërmarrje ka ndërhyrë Policia Financiare. Këto informacione i konfirmuan edhe nga drejtoria që udhëhiqet nga Arafat Muharremi.
“Nga Drejtoria e Policisë Financiare, në bazë të kompetencave kryhet kontroll në Ndërmarrjen Publike Komunale – Tetova, për mungesë të ujit dhe të tjera. Pas përfundimit të kontrollit, me të gjitha gjetjet, një parashtresë do të dorëzohet në Prokurorinë Themelore Publike”, thonë nga Policia Financiare.
Largimin e Cekës nga posti i drejtorit e konfirmoi edhe kryetarja e Tetovës Teuta Arifi, por thotë se nuk ka të bëjë me ndërhyrjen e Policisë Financiare.
“Nuk bëhet fjalë për dorëheqje. Atij në fakt i ka munguar mandati dhe në fakt bëhet fjalë për angazhim shtesë në planin e tij të mëtejshëm dhe ne kemi bërë përzgjedhjet si rezultat i përfundimit të mandatit. Mund të them se nuk ndonjë intervenim të natyrës për të cilën flisni ju”, deklaroi Teuta Arifi – kryetare e Komunës së Tetovës.
Ndryshe Ndërmarrjen Publike Komunale “Tetova” do ta udhëheq Tushi Dervishi si ushtrues detyre, që njihet si njeri i afërt me kryetaren e komunës së Tetovës.
Xhelal Ceka si drejtor i NPK Tetova është emëruar që nga viti 2013 kur edhe Teuta Arifi u zgjodh në mandatin e parë si kryetare komune. NPK Tetova nën udhëheqjen e Cekës arriti të largojë edhe deponinë nga qyteti, por të punësuarit e NPK shumë herë kanë ngelur me muaj të tërë pa rroga dhe kontribute të paguara. Edhe tani të punësuarit e kësaj ndërmarrje janë disa muaj pa roga.






