Po shkonte të qethej, arrestohet ambasadori britanik në Iran

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Iran u arrestua gjatë protestave antiqeveritare në Teheran, pasi zyrtarët pranuan se qëlluan aksidentalisht me raketë avionin ukrainas të pasagjerëve.

Ambasadori britanik po përcillte protestën. Teksa kthehej në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, ai u arrestua ndërsa ndaloi në një dyqan berberi për një prerje flokësh. Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab tha se “arrestimi i ambasadorit në Teheran pa asnjë bazë dhe asnjë shpjegim, është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”.

“Qeveria iraniane është në një udhëkryq”, tha sekretari Raab. “Ajo mund të vazhdojë ecjen e saj drejt statusit të të përjashtuarit me gjithë izolimin politik dhe ekonomik që kjo sjell me vete, ose të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet dhe të angazhohet në një rrugë diplomatike përpara”, tha ai në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Ambasadori u arrestua derisa një grup protestuesish u mblodh në Teheran duke shprehur zemërimin ndaj qeverisë iraniane e cila mëngjesin e së shtunës pranoi fajësinë për rrëzimin e avionit ukrainas që shkaktoi vdekjen e 176 personave.