PLO: Izraeli nuk dëshiron paqe me palestinezët por dominim kolonial

Izraeli nuk dëshiron paqe me palestinezët, por dominim kolonial, pohon Saeb Erekat, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Çlirimtare Palestineze (PLO) dhe kryenegociator palestinez.

Kur Bregu Perëndimor, Jerusalemi Lindor dhe pjesë të Rripit të Gazës ishin okupuar para 53 viteve, autoritetet izraelite e dinin se duhet të presin me këmbëngule dhe durim për mundësinë që të legalizohet okupimi, theksohet në tekstin e gazetës izraelite Haarec.

Erekat thotë se kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot, kur Izraeli me ndihmën e SHBA-së udhëheq politikë që – de jure – e ka konfirmuar aneksimin, që vetëm e konfirmon arrogancën e Izraelit dhe mosbindjen e vazhdueshme ndaj rezolucioneve të shumta të KB-së.

Kjo e përfshin Rezolutën 242 të Këshillit për Siguri të KB-së, të miratuar në nëntor të vitit 1967, ku marrja e territorit me dhunë është shpallur “e papranueshme”.

Shkelja sistematike për gjysmë shekulli e të drejtave kombëtare dhe njerëzore të palestinezëve është testament izraelit, konfirmim për përpjekje për ekspansionizëm kolonial, e jo për arritjen e zgjidhjes paqësore me palestinezët, pohon Erekat.

Ai thekson se ky projekt kolonial i Izraelit asnjëherë nuk është konceptuar si okupim i përkohshëm i vendit palestinez, për çfarë ka insistuar shteti hebraik, por si përvetësim të fundit të territoreve të banuara nga palestinezët.

Në këtë kontekst, shton ai, plani amerikano-izraelit është një dëshmi eksplicite për atë dhe paraqet shkelje flagrante të parimeve fundamentale të të drejtës dhe rendit ndërkombëtar dhe është një konfirmim i qartë se “vizioni paqësor” i presidentit të tanishëm amerikan Donald Tramp nuk është asgjë tjetër përveç një justifikim për okupimin izraelit. Me këtë popullit palestinez i shkurtohet e vetmja e drejtë të vetëpërcaktimit.

“Së shpejti më nuk do të jetë e mundur të mbulohen dhe mbrohen shkeljet izraelite të të drejtave të popullit palestinez, sepse kjo do ta shkelte nenin 2 të marrëveshjes së Izraelit me Bashkimin Evropian, ku qartë theksohet se zbatimi i marrëveshjes është kushtëzuar me respektimin e të drejtave të njeriut”, përfundon në komentin për Haarecin, sekretari i përgjithshëm i PLO-së./mia