Gjendemi në një moment historik. Bullgaria mban një përgjegjësi të madhe për atë që ndodh në rajon. Zgjidhjet që do të miratohen këtë javë në Sofje, Shkup, Berlin dhe Bruksel, me siguri do të ndryshojnë drejtimin e zhvillimit. Unë shpresoj se do të jetë për të mirë. Uroj sukses, tha ish Presidenti Bullgar Rosen Plevneliev në një analizë për “24 orë” në Sofje.
– Më kujtohen shumë mirë vitet e errëta të regjimit të Gruevskit, dhe kjo është arsyeja pse Kryeministri Zaev është një dritë në tunel për mua, shpresë për një të ardhme më të mirë dhe i uroj suksese. Por pas çdo suksesi ekziston një plan dhe qasje e duhur se si të arrish sukses, shkruan Plevneliev.
Ai konsideron se udhëheqja politike e Shkupit bëri një hap të gabuar dhe një gabim historik 25 vjet më parë, kur vendosi të konfrontohet me Greqinë, si një anëtare e BE dhe NATO, duke harruar se parimet themelore të atyre organizatave janë konsensusi, kompromisi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Sipas Plevnelievit, nëse atëherë do të zgjidhej kompromisi dhe bashkëpunimi me Greqinë, Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i ishte bashkëngjitur BE-së bashkë me Bullgarinë, Rumaninë ose Kroacinë, nëse jo edhe para tyre.
– Krerët e vendit përballen sot me të njëjtën dilemë – të konfrontohen ose të bashkëpunojnë me Bullgarinë, një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, konsideron Plevneliev.
Ai në analizë shtoi se udhëheqja në Shkup nuk duhet të presë që Bullgaria “të heqë dorë nga historia e saj e pasur nën presion ndërkombëtar”.
– Nuk është një plan i mirë që Kryeministri Zaev të vazhdojë të përpiqet për një pakicë maqedonase në Bullgari, sepse ajo kurrë nuk ka ekzistuar. Në Shkup janë të brengosur se Bullgaria nuk do të njohë identitetin dhe gjuhën e tyre. Kjo nuk është e vërtetë, shkruan ish-presidenti bullgar.
Plevneliev deklaron në analizë se ka “zhgënjim të thellë” në Bullgari sepse Marrëveshja e fqinjësisë së mirë nuk jep rezultatet e pritura.
“Nuk ka asnjë qëndrim të ndryshuar ndaj historisë, nuk ka ndryshim në librat shkollorë, gjuha e urrejtjes ndaj qytetarëve me origjinë bullgare është e dukshme dhe mbetet narrativa e projektuar nga koha e Titos se ne jemi “tatarë, fashistë dhe okupatorë”, shton Plevnelievi, duke theksuar se ajo që dëshiron Bullgaria është që të fillojmë me të vërtetë zbatimi i Marrëveshjes dhe të japë rezultate.
Sipas tij, ekziston një skenar i mirë dhe i keq në marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
– Skenari i keq është nëse Shkupi vendos që strategjia fituese është të vazhdojë të paraqitet si viktimë e Greqisë në të kaluarën, ndërsa sot e Bullgarisë. Do të organizojnë fushatë, do të lobojnë, siç kanë bërë në 30 vitet e fundit, por do të humbin kohën e vlefshme për reformat e nevojshme të thella. Kjo status quo do të jetë në interes vetëm të Serbisë dhe Rusisë, të cilat vazhdojnë të nxisin ndjenja anti-Bullgare dhe të tërheqin vija ndarëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për dallim nga Shkupi, Tirana do të vazhdojë me reformat. Nëse Maqedonia e Veriut është tepër vonë në krahasim me Shqipërinë në procesin e integrimit në BE, kjo mund të shkaktojë një problem të madh, i cili mund të rrezikojë edhe integritetin e saj territorial, i cili do të ishte i papranueshëm për botën demokratike, vlerëson ish-presidenti bullgar.
Sipas tij, tani nuk guxon të lëshohet momenti për zgjidhjen e keqkuptimeve midis Shkupit dhe Sofjes, sepse vitin e ardhshëm mund të jetë më i vështirë sepse “ekziston mundësia në Bullgari të ketë qeveri të re të populistëve të majtë dhe të djathtë nën kapelën e Presidentit populist Radev, i cili tashmë edhe publikisht bën thirrje që procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE të ndalet, derisa të arrihet një marrëveshje e qartë dypalëshe e detyrueshme midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për të pastruar të gjitha çështjet bilaterale”.
Nga ana tjetër, Plevnelievi konsideron se “skenari i mirë” do të ishte që autoritetet në Shkup të fillojnë “reforma të thella, duke vendosur kudo vlerat dhe parimet evropiane – në politikën e vendit, institucionet, librat shkollorë, shërbimet sekrete, shoqërinë, qasjen ndaj historisë”.
Sipas tij, nëse vendi dëshiron t’i bashkëngjitet BE-së, ai duhet të vendosë sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave, duke përfshirë “shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut me origjinë bullgare”, si dhe të punojë në zbatimin e Marrëveshjes me Bullgarinë dhe në lidhjen e dy vendeve, përmes realizimit të projektit për Korridorin 8.
– E vërteta për historinë, dhe jo për historinë e manipuluar, është një bazë e shëndoshë për ndërtimin e brezave të ardhshëm të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ajo duhet të hyjë në librat e tyre shkollorë së shpejti, nëse jo menjëherë, shton Plevnelievi në analizë.
Ish presidenti bullgar vlerëson se nëse vendi “jep garanci dhe një angazhim të qartë për të”, dera për negociata me BE mund të hapet në dhjetor.
Sipas Plevneliev, një fillim i mirë do të ishte nëse kryeministrat e të dy vendeve Zoran Zaev dhe Bojko Borisov vazhdojnë të flasin, të negociojnë dhe të bëjnë kompromise – “Zaevi të tregojë vullnet të mirë duke eleminuar çështjen artificiale të pakicës maqedonase në Bullgari, ndërsa Borisovi të pranojë realitetin në Maqedoninë e Veriut”.
Ai konsideron se Komisioni i përbashkët për çështjet historike dhe arsimore duhet të përfshijë historianë të njohur nga Evropa, në mënyrë që ai të fillojë më shpejt të japë rezultate objektive, duke shtuar se Sofja megjithatë duhet të ketë më shumë durim.
– Sofia duhet ta kuptojë që rezultatet pozitive nuk do të vijnë menjëherë, por nëse merr garanci përkatëse do të duhet të japë një shans. Nëse Republika e Maqedonisë së Veriut ndalet ose ngadalësohet në mënyrë drastike në rrugën e integrimit evropian, kjo do t’i shërbejë plotësisht interesave të Serbisë, Rusisë, Turqisë dhe të tjerëve dhe do të rrezikojë stabilitetin e brishtë të Ballkanit. Me këtë, Bullgaria rrezikon të mos kuptohet në BE dhe NATO dhe të jetë përsëri në anën e gabuar të tabelës gjeopolitike të shahut, me pasoja të rënda për të, paralajmëron Plevnelievi.
Sipas tij, Bullgaria ka interes strategjik për paqe dhe stabilitet në fqinjësinë e saj, duke përfshirë edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, gjë që do të jetë e mundshme vetëm nëse vendi “integrohet plotësisht në BE, sa më shpejt, aq më mirë”.
Plevneliev thekson se Bullgaria ishte “shumë më pak e përgatitur” për të filluar negociatat me BE kur ato filluan në vitin 1999, sesa që tani është Republika e Maqedonisë së Veriut, meqë ajo është tashmë anëtare e NATO-s.
– Neve atëherë na u dha një shans dhe kjo ishte një zgjidhje plotësisht gjeopolitike, duke mbyllur sytë për shumë më tepër papërsosmëri që Bullgaria i kishte në datën e fillimit të bisedimeve, sesa që i ka sot Republika e Maqedonisë së Veriut, pranon Plevnelievi në analizën për “24 orë”.