Piroku bëhet me ujë të pijshëm! Pa ujë për pije mbeten fshatrat Kamjan dhe Pallçishtë

Një projekt i përbashkët mes Ministrisë së Mjedisit Jetësor edhe Komunës së Bogovinës dje është lëshuar në përdorim rrjeti i ujësjellësit për Fshatin Pirok të Komunës së Bogovinës. Projekt që ka kushtuar 5.8 milionë denarë, i financuar me 3.3 milion nga Komuna e Bogovinës dhe 2.5 milion denarë nga Ministria e Ekologjisë.

“Që sot vendbanimi Pirok do të furnizohet me ujë, 20 litra për sekond që besoj se është zgjedh një problem me dekada dhe përfundimisht vendbanimi Pirok do të furnizohet me ujë për pije”, theksoi Albon Xhemaili – kryetar i Komunës së Bogovinës.

“Ky është një shembull i mirë e si duhet të funksionojë pushtei qëndror me pushtetin lokal dhe  kemi vlerësimin e mirë të qytetarëve për të rregulluar ujësjellësin dhe problemet e tyre ky ka qenë një bashkëpunim i mirë dhe besoj se në të ardhmen do të kemi dhe bashkëpunime tjera”, tha Naser Nuredini – Ministër i Ekologjisë.

Por megjithatë pa ujë të pijshëm në Komunën e Bogovinës vazhdojnë të ngelen edhe dy fshatra ai i Kanjanit dhe Plallçishtit, ku banorët e këtyre fshatrave vazhdojnë të mbushin ujë të pijshëm në burime të ndryshme ose e blejnë. Xhemaili thotë se ka projekte edhe për këto dy fshatra nga ku edhe janë siguruar mjetet.

“Në Kamjan faza e tenderimit ka kaluar, operatori është zgjedhur dhe duhet të fillojnë punimet  ndërsa për fshatin Pallçishtë mjetet janë siguruar dhe pjesën shtesë do ta sigurojë vetë komuna me mjetet e komunës”, potencoi kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili.

Në bazë të disa analizave të Qendrës për shëndet publik në Tetovë, rreth 68% të fshatrave të komunave rurale të rrethit të Tetovës kanë ujë jo të pastërt për pije./TV21