Ping-pong mes Bushit e Grubit për shpërndarjen e administratorëve në MPB

 

 

150 administratorët që do të sistemohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për dallim nga të tjerët, nuk do të nisin punë menjëherë, për shkak se fillimisht duhet të kalojnë kontrollin në Agjencisë për Siguri Kombëtare, tregon zv/ministri i Brendshëm Nazim Bushi.

“Procesi për sistematizimin e tyre tashmë ka filluar dhe i njëjti do të përfundojë në afate ligjore mirëpo paraprakisht të gjithë këta do t’i nënshtrohen kontrollit të Sigurisë Kombëtare. Pasi të përfundojë kontrolli i sigurisë kombëtare, atëherë ne do të marrim pëlqimin pozitiv apo negativ dhe do të fillojmë sistemimin e tyre në MPB sipas shkollimit adekuat që kanë për vendet e punës”, tha Nazim Bushi – zëvendësministër i Punëve të Brendshme.

Bushi siguron se nëse administratori kalon në Agjencinë Kombëtare, i njëjti do të nisë punë në MPB.

Por çfarë ndodhë nëse i njëjti nuk e kalon pozitivisht këtë proces?

“Duhet të kthehet. Unë mendoj se nuk kthehet më në ministrinë ku udhëheq z.Grubi por shkon në Ministrinë e Administratës Publike te ministri Jeton Shaqiri”, potencoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nazim Bushi.

Pyetëm zëvendëskryeministrin dhe ministrin për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, Artan Grubi se çfarë do të ndodhte me ata që eventualisht nuk do ta kalonin kontrollin e Agjencisë së Sigurisë, ndërsa ai shkurt u përgjigj:

“Kanë patur kontroll paraprak para se të vihen në listë”, theksoi Artan Grubi – Minisrë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Kërkuam nga Grubi sqarim më të hollësishëm rreth kësaj çështjeje, por nuk morëm.

Nëpër procesin e kontrollit të Agjencisë së Sigurisë kalon çdo i punësuar i Ministrisë së Brendshme, qoftë në administratën e instituconit ose në sektorët e tjerë.

Sistematizimi i 150 administratorëve në MPB bëhet në kuadër të shpërndarjes së nëpunësve shtetërore që të merrnin paga, por nuk shkonin në punë. Tani me planin e ri, 1349 administratorë do të sistemohen në 237 institucionet të ndryshme./Tv21