Përpjekje për parashikimin e autizmit para shfaqjes së simptomave

Universiteti i San Diegos, UCSD, në Kaliforni, u ka kërkuar 400 familjeve që të marrin pjesë në një studim, i cili do të testojë nëse është e mundur apo jo të parashikohet autizmi te të porsalindurit para se të shfaqen simptomat, duke bërë të mundur trajtimin e hershëm dhe mundësisht parandalimin e një çrregullimi që nuk njeh kurë.

Studimi është i hapur për të gjitha ato familje, të cilat janë të gatshme të lejojnë UCSD-në të analizojë kampionët e gjakut të grumbulluar menjëherë pas lindjes së fëmijëve të tyre.

Shkencëtarët thonë se kampionët e gjakut mund të përmbajnë molekula dhe kimikate, që tregojnë se fëmija është në rrezik për zhvillimin e çrregullimit të spektrit të autizmit, ASD.

“Ne duam të aplikojmë një test të ri, që shqyrton mbi 1 000 kimikate natyrore dhe të krijuara nga njeriu, të pranishme brenda secilit prej nesh, për të parë nëse mund të parashikojmë me saktësi se kur fëmijët rrezikojnë të preken nga autizmi”, tha Robert Naviaux, hulumtuesi kryesor i studimit.

Studimi do t’i kushtojë vëmendje të veçantë mënyrës se si bashkëveprojnë kimikatet e përbërjet, që gjenden në gjak, me gjenet.

Pjesëmarrësit duhet të jenë të moshës 3-10 vjeç, të kenë lindur në Kaliforni, të kenë një diagnozë ASD-je të konfirmuar nga një mjek i licencuar ose të jenë fëmijë të shëndetshëm, që nuk marrin ilaçe pa recetë.

Studimi do të zgjedhë 200 pjesëmarrës nga secili grup.